2007-11-26 17:58:04

Sanader fiton jo bindshëm në Kroaci e lajme të tjera


(26.11.2007 RV)U zhvilluan dje zgjedhjet parlamentare në Kroaci. Siç pritej, rezultatet nuk i japin mazhorancën absolute asnjërës prej partive kryesore në garë: Bashkimit Demokratik Kroat të kryeministrit aktual Ivo Sanader dhe Partisë Socialdemokrate në opozitë. Me 95% të votave të numëruara, partia e kryeministrit Sanader ka fituar 61 vende në parlament, përkundrejt 57 vendeve të socialdemokratëve. Rezultatet zyrtare përfundimtare do të shpallen më 5 dhjetor, por duket qartë se një rol vendimtar do të kenë partitë më të vogla dhe 8 të zgjedhurit e pakicave etnike, me të cilët Sanader duhet të krijojë koalicion, nëse dëshiron të qeverisë vendin.


Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar reforma në OSBE, organizatën për siguri e bashkëpunim në Evropë, pasi kjo e fundit vendosi të mos vëzhgojë zgjedhjet parlamentare të 2 dhjetorit. Sipas presidentit Putin, janë SHBA-të ato që kanë frymëzuar bojkotimin e zgjedhjeve nga vëzhguesit evropianë. Pavarësisht nga kjo, ose pikërisht për këtë arësye, Rusia tregohet më e butë ndaj planit amerikan për vendosjen e mbrojtjes me raketa në Poloni e Çeki. Moska është gati të ulet në tryezën e bisedimeve me Uashingtonin. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për shtypjen e manifestimeve të opozitës ruse gjatë fundjavës që kaloi. Në këtë klimë, Këshilli i Federatës njoftoi se zgjedhjet presidenciale në Rusi do të mbahen më 2 mars 2008.


Gjatë natës së djeshme, periferia e Parisit u ndez sërish, si në vjeshtën e vitit 2005. Si atëherë, shkaku qe vdekja e dy të rinjve, 15 dhe 16 vjeç, në një aksident rrugor me një makinë të policisë. Banorët filluan protestën, e cila shpejt u shndërrua në dhunë dhe ndeshje me policinë. Bilanci i parë flet për 25 policë dhe një zjarrfikës të plagosur, 28 makina, katër ndërtesa e një zyrë e policisë në flakë, si edhe nëntë të arrestuar. Qetësia u rivendos vetëm pas orës 1 të natës.







All the contents on this site are copyrighted ©.