2007-11-26 17:41:21

Do të publikohet më 30 nëntor Enciklika e dytë e Benediktit XVI, e titulluar “Spe salvi”, (Me shpresën shpëtuam). Reflektim i imzotit Bruno Forte


(26.11.2007 RV)RealAudioMP3 Të premten e ardhshme më 30 nëntor, do të publikohet Enciklika II e Benediktit XVI. Titullohet “Spe salvi” që do të thotë ‘Me shpresën shpëtuam’. Dokumenti papnor do të paraqitet në Sallën e Shtypit të Vatikanit e më pas teksti i Enciklikës do të publikohet në tetë gjuhët kryesore të botës.
Gati dy vjet pas Enciklikës mbi dashurinë, ‘Deus caritas est”, tani Benedikti XVI na ofron enciklikën mbi shpresën. Mund të themi, pra se Enciklika kushtuar shpresës është vijim i Enciklikës kushtuar dashurisë. E pikërisht për këtë vazhdimësi na flet kryeipeshkvi i Kieti-Vastos, imzot Bruno Forte. Ta ndjekim reflektimin e tij:

Përgjigje: - Sigurisht është një temë jashtëzakonisht aktuale. Në se dashuria është lajmi i mirë, që i kundërvihet vetmisë dhe shqetësimeve të thella në planin e drejtësisë e të bashkëjetesës së popujve, shpresa është ajo që na hap horizontin për të kuptuar jetën, horizont i cili, pas perëndimit të miteve ideologjike, duket se mungon krejtësisht. Në epokën tonë ndjehet fort mungesa e aftësisë për ta kuptuar jetën e, sidomos, mungesa e shpresës, e na duket se pikërisht rikthimi i shpresës, rimotivimi i kuptimit të jetës e i historisë mund të jetë një formë konkrete e dashurisë së krishterë për kohën që po jetojmë.

Pyetje: - Shën Pali në letrën drejtuar Romakëve (8, 24) shkruan: “Me shpresën shpëtuam”...

Përgjigje: - Besoj se kuptimi më i thellë i kësaj shprehjeje, që i jep edhe titullin enciklikës, është se vë në dukje përvojën e hirit, tregon si e sa ky hir prek zemrat e shndërron jetët, thekson se përmes kësaj përvoje zbulohen rezervat ‘e mundësive të pamundura të Hyjit’- siç i pëlqente të shprehej Karl Bartit – të cilat i tejkalojnë gjithnjë parashikimet e kohës e të historisë. Me këtë dua të them se kur ti takon Hyjin, Hyjin e Jezu Krishtit, takimi që jeton në këtë ças, që ta shndërron zemrën e jetën, ndikon fuqimisht në të nesërmen, të nesërmen e premtimit të Tij, edhe pse je i thirrur ta jetosh besnikërisht në të sotmen tënde. Më duket se Papa, duke e nënvizuar që nga titulli këtë përmasë: “Me shpresën shpëtuam’, dëshiron të na kujtojë domethënien eskatologjike të krishterimit, atë që nganjëherë lihet në heshtje përballë urgjencave të së sotmes, problemeve që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Edhe këtu mendoj se vërehet një shenjë epokale: eskatologjia bëhet përsëri qendër e shqetësimeve të zemrës njerëzore. Të pyesësh veten mbi fundin tënd, mbi jetën, vdekjen, gjykimin, jetën e pasosur, më duken tema që i shërbejnë secilit për të zbuluar vlerat përballë perëndimit të idelogjive të mëdha, përballë humbjes së shpresës e të kuptimit të jetës, që lidhej me to; përballë nevojës për të kërkuar arsyen e impenjimit tonë historik, të ngritur mbi baza që nuk janë jetëshkurtëra, as kalimtare e të përkohshme, por përfundimtare, të përjetshme.

Pyetje: - Jezusi është shpresa jonë: po a dimë, ne të krishterët t’ia dhurojmë edhe botës këtë shpresë?

Përgjigje: - Ndërkaq duhet thënë se shpresa për të krishterët nuk është diçka, nuk është pritje e realizmit të një dëshire ose inkurajim për të ecur para në rrugët e botës. Shpresa është Dikush, Dikush që erdhi, por edhe Dikush që do të vijë: është Jezu Krishti. Kjo është e reja që sjell krishterimi e në këtë kuptim krishterimi është mbartës i kuptimit të jetës dhe i shpresës në një mënyrë të pashembullt, madje paradoksale. Përballë fshatit global, që jeton në atmosferën e krizës së modeleve ideologjike, përballë kërkimit të kuptimit të jetës e të historisë, që ndjehet thellë në zemrat e të rinjve, ne shkojmë të kumtojmë Jezu Krishtin, e Krishti është shpresa që nuk të zhgënjen. Ky është kuptimi i thellë i misionit tonë, prej të cilit nuk mund të heqim dorë, e këtë besoj se dëshiron të na e kujtojë Papa me Enciklikën, që e presim plot gëzim e në këtë rast duhet thënë edhe – plot shpresë.







All the contents on this site are copyrighted ©.