2007-11-26 17:41:30

“Solidaritet e përkushtim ndaj të pastrehëve për të frenuar dramën e heshtur të mjerimit" - në Konferencën ndërkombëtare të baritorisë kushtuar atyre.


(26.11.2007 RV)“Është shqetësim njerëzor e kishtar, që kërkon përgjigje të cilat janë në gjendje ta frenojnë dramën e përditshme, pak të njohur, të njerëzve pa strehë”. Këtë theksuan njëzëri kardinali Renato Martino dhe kryeipeshkvi Agostino Marketo, përkatësisht kryetar dhe sekretar i Këshillit Papnor të baritorisë për emigrantët dhe endacakët, në fjalimin që mbajtën sot paradite gjatë takimit ndërkombëtar të baritorisë për njerëzit e pastrehë, organizuar nga dikasteri i Vatikanit.Vdesin çdo ditë në heshtje, ashtu si jetuan. Janë gati të padukshëm. Bien viktima të mjerimit të tyre, për të cilin japin lajme vetëm ata që ua kushtojnë jetën. Janë burra e gra, pleq e fëmijë, që nuk kanë ku të pinë një pikë ujë, nuk kanë ku të lahen, nuk kanë ku të mjekohen. Janë viktima të një rendi shoqëror të papërkryer, të pabarabartë, të padrejtë, për të cilët dikush duhet të mendojë. E në Konferencën e sotme ndërkombëtare u fol pikërisht për ta, për plotësimin e nevojave të tyre, për t’u krijuar mundësitë të kenë strehë, veshmbathje, ushqim, ngrohtësi, mjekime e kështu me radhë, për t’u plotësuar të gjitha kërkesat që ka çdo njeri e, sidomos, për t’i trajtuar me dinjitet. Por një rezultat i tillë mund të arrihet – u theksua me forcë në Konferencë – vetëm në se organizatat fetare e ato laike bashkëpunojnë ngushtësisht për të siguruar procesin, tepër të vështirë, të shndërrimit e të përtëritjes së këtyre njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.