2007-11-25 16:32:55

Vdekja e ringjallja në lirikën shqipe


(25.11.2007 RV)Atë Bernardin Palaj “Kah nata e vetme”
Fragment i poemthit homonim kushtue Atë Gjergj Fishtës në natën e vetme 1 

 
...Ato kumbonë tue rá
N’tanë at mraz e n’mâ t’mbramen ditë t’Dhetorit
Shpirtin ia kputne asaj Rozafës Ilire.
Disi na u mtiz natyra n’ata t’parë,
5 Si t’ishte kputë dishka nder tajët e saja;
Po ashtû shpirti na lshoi,
Si t’dilte zâni se i diq Ora Kombit.
Bite kumbona: Gjaku shkote e vîte.
Edhè ajo lpé, qi dirgjej permbí lume,
10 Drinit teposhte, e mbi Vijosë t’pergjakshme,
-  Kurr mâ e randë as hijezezë se at ditë —
Me ‘i tis t’permortshem bjeshkë e vrrî i mblote;
N’kater anët e Shqypnís
E vranët kjo e e lidhun permbi nierz vajtote,
15 Si stalagtitat qi kjason nder shpella.
Si i trembun vulgu i vogel,
Njaj qi Ty t’kqyri dishka si ‘i profetë,
A si nji orë qi e ruete n’dallka t’jetës,
Kobet e luftës e mraz e shpí harrue,
20 Aty-ktû neper rruga grumbullohej
zêmervorfnuemi aj pa Ty i mjeri
tue pershperitë po at fjalë: diq Pater Gjergji!
Shtang ngrîhej nieri e ftyrat bijshin dhé,
Dhimben me lot disi tu’ u rrekë t’a shfrejm,
25 Si gúr nder zemra pse ajo fjalë randote;
e prap e prap tue pvetun krye per krye,
i thekun n’shpirt gjithkushi fshâte e thote:
“Edhe nji diell u fik sot mbi Shqypní!
Diq ormadhi vjerrshtár, po njaj vigani,
30 Qi n’gjuhë Zanash e Orësh aq shqyp na flitte,
Per Atme e Fé kur zêmrat né na i kallte”.
Po, ka’ i bjen dielli anë e kand ktij dheu,
Kûdo qi bâte tym nji shpí shqyptare,
Nji vorr t’çilun atë ditë n’truell t’shpís e kishte,
35 Vizak mun n’ballit t’votrës Fishten dekun.
Flamujt nder shtiza u rrxuene! E si ajo bleta,
Qi vrumbullisë jasht’ zgjonit,
Bramin e jetës kur don kush me i a prishun,
Ase nanen mbretneshë ndo ‘i dorë anmike
40 Mbrenda voshtinash strukë don me i a çartun,
Qashtû populli rrâni, i madh e i vogel,
Ka’ ajo banesë, kû angthi i jetës Ty t’xûni.
Bite kumbona! Gjaku shkote e vîte;
E pse s’na bâhej fjalen me e besue,
45 As s’dojshim na me e ndie, se diq Poeti.
Gojë neper gojë persritej fjala e kobit;
Krejt akull bâhej zêmra e jonë e shkreta;
Edhè ajo uzdajë e mekët, qi na kotllote,
Pse qandra e zêmres prej uzdajësh po ishte,
50 Andej vorrin po nierin e percjellin
Atje kû Feja n’ gzim t’ pasosun ndrrohet,
Ato kumbonë tue rá e fikshin, krejt e shueshin,
Pse dielli e hana dritë per Ty mâ s’bâjshin.
E kshtû mâ e mbramja ditë per Ty u err,
55 Kur n’mal e n’fushë s’çilë lule as zog s’kndon,
Por dielli xânë e majet gjithkund xânë,
E luftat n’kambë, Poet, prej nesh Ti u dave.
Si atë diten e Shna Ndout, kur n’sŷ t’shtatë krajlavet
Lidhë per atë shêj shelbimit i lír perhidhej
60 Mbas qinda vjetësh aj flamur kuq e zí,
E Ti Murgu, n’dritore dejë prej gzimit,
Nji valle e kndojshe, kurr mos me e harrue,
Pse shoqen mâ s’i a ndien toka shqyptare.
65 Kurrkujë s’i çohet e aq mâ pak Poetit!
[.....]
19411 Nata e parë që i vdekuri shkon në varr quhet ndër Malësorë “nata e vetme'.







All the contents on this site are copyrighted ©.