2007-11-25 16:31:52

Takimi i rangut të lartë i Anapolis: e ftuar edhe Selia e Shenjtë.


(25.11.2007 RV)Gjithçka është gati në SHBA, ku të martën e ardhshme, në Anapolis, do të mblidhet Konferenca e Paqes për Lindjen e Mesme. Kryeministri izraelit Olmert dhe presidenti palestinez Abu Mazen janë në Amerikë, prej nga urojnë që bisedimet të jenë serioze. Hamasi e konsideron pjesëmarrjen e Autoritetit Kombëtar Palestinez në takim si tradhti ndaj trashëgimisë së Intifadës të Arafatit. Për Abu Mazenin - opozita ka të drejtë të shprehë pakënaqësinë, por jo ta nënvleftësojë rëndësinë historike të konferencës. Pra mund të themi se kjo ngjarje pritet sa me shpresë, aq edhe me dyshim. Ndërsa popullsia vendase, sipas Atë Pier Picaballës, Rojtar i Tokës Shenjte, nuk është shumë entuziaste. Mjetet e komunikimit flasin shumë, në sa njerëzit e thjeshtë, pak e aspak sepse, për fat të keq, është folur edhe tepër e ata, me të drejtë, e kanë humbur besimin se mund t’i jepet fund një herë e mirë konfliktit. Në se kanë ndonjë shpresë, mund të themi se shpresojnë që së paku të hidhen bazat për dialog serioz ndërmjet palëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.