2007-11-25 16:27:39

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(25.11.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, e diela XXXIV dhe e fundit e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, i kushtohet Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i Gjithësisë. Po sot u përkujtuan edhe Shën Katerina e Aleksandrisë, virgjër e martire; Shën Moisiu, martir, Shën Pjetri i Aleksandrisë, ipeshkëv dhe të Lumët Luigji e Maria Kuatroki, bashkëshortë.

hënën fillon java e fundit e vitit liturgjik. E nisim këtë javë me figurën e Danielit profet, i cili na dëshmon se besimi në Zotin e vetëm bën mrekulli - dhe me figurën e vejushës së varfër, që lë në thesarin e tempullit gjithçka ka mbas shpirtit, duke na kujtuar se duhet t’ia besojmë plotësisht vetveten Provanisë hyjnore. Kremtohen Shën Siriçi, papë; Shën Leonardi nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe Shën Silvestri abat, themelues i silvestrinëve.

Në liturgjinë e festës së Shën Virgjilit, ipeshkëv i Salcburgut, i cili do të kremtohet të martën, Danieli profet, interpretues ëndrrash, na kujton se shtatorja që mbreti e ëndërroi duke u rrëzuar, është simbol i pushtetit njerëzor, i cili mbështetet mbi vetveten e jo mbi forcën e dhuruar nga Hyji. Edhe parafolja e Jezusit mbi tempullin ndjek të njëjtën logjikë.
 
Në liturgjinë e festës së Shën Jakut të Markeve, meshtar françeskan, që do të kremtohet të mërkurën, Danieli profet arrin të shpjegojë fjalët misterioze të shkruara nga dora e Hyjit, të cilat dënojnë ata që dhunuan enët e shenjta të tempullit të Jeruzalemit. Na kujton, kështu, se gjërat që i përkasin Zotit duhen respektuar në çdo kohë e, sidomos, duhet respektuar çdo njeri, sepse pikërisht njeriu ka vlerë më shumë se të gjitha thesaret përpara syve të Hyjit.

Të enjten, festa e Shën Saturninit martir, e Shën Frederikut dhe e Shën Jutës, takohemi rishtas në liturgji me Danielin profet, të cilin mbreti e flak në shpellën e luanëve, për shkak të fesë së tij. Por ai, që kishte besuar plotësisht në mbrojtjen e Hyjit, nuk pëson asnjë gërvishtje. Luanët e uritur i shtrihen për rreth si qengja të butë.

Të premten e ardhshme do të kremtohet festa e Shën Andreut, apostull. Sipas ungjilltarëve, është i pari i thirrur, së bashku me të vëllaun, Simon Pjetrin. Shenjti na mëson se bashkimi i plotë me Krishtin arrihet vetëm duke ecur në rrugën e kryqit, që përfundon me ringjalljen.

Java, e hapur me figurën e Danielit, mbyllet, të shtunën e ardhshme, me profecinë e tij për ardhjen e një mbretërie të re, krejtësisht të ndryshme nga të tjerat: mbretëri që u jepet të zgjedhurve të Hyjit. E nga këta të zgjedhur, të shtunën do të përkujtohen Shën Eligji, martir; Shën Nahumi profet; Shën Krizogoni, martir dhe Shën Fiorenca.

Të dielën e ardhshme, e para e Kohës së Ardhjes, fillon viti i ri liturgjik. Nis përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.