2007-11-25 16:27:02

Papa në Meshën e kremtuar me kardinajtë e rinj: “Kisha kumton përvujtërisht të vërtetën e Krishtit Mbret, i cili vdiq në kryq, duke kryer aktin më heroik të dashurisë që njeh historia.


(25.11.2007 RVRealAudioMP3 “Vdekja e Jezusit në kryq është akti më i madh i dashurisë që njihet në të gjithë historinë e njerëzimit”: këtë të vërtetë, që i është dorëzuar, Kisha e ruan plot përvujtëri, pa hijen e mburrjes ose të arrogancës” - këtë pohoi sot paradite Benedikti XVI në solemnitetin e Krishtit Mbret, duke kremtuar, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën Shenjte me 23 kardinajtë e rinj, krijuar dje në Konçistorin e dytë të papnisë së tij. Gjatë ritit u mbajt kremtimi i thjeshtë e prekës i dorëzimit të unazës kardinalore. E ndërsa në Bazilikë vijonte Mesha solemne, në Sheshin e Shën Pjetrit më se 20 mijë shtegtarë e ndoqën kremtimin përmes ekraneve të mëdha, pa pyetur fare për shiun e rrëmbyer.
Në Engjëllin e Tënzot, Papa i ftoi besimtarët të luten për suksesin e takimit të rangut të lartë për paqen në Lindjen e Mesme, që do të mbahet të martën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krishti Mbret i universit – pohoi Papa – është i vetmi Zot, e përballë tij të gjithë jemi vëllezër. Mbarë hjerarkia e Kishës, çdo karizëm e çdo shërbim, gjithçka e të gjithë, jemi në shërbim të sundimit të tij. Por pushteti mbretëror i Krishtit është krejt i veçantë – vijoi Benedikti XVI – sepse manifestohet mbi kryq: Jezusi i poshtëruar e i tallur, zbulon lavdinë e tij duke ndenjur mbi Kryq, si Qengj i flijuar. Në mënyrë të papritur – vërejti Papa, duke komentuar Ungjillin e sotëm – hajduti i mirë e pranon pushtetin mbretëror të të drejtit të pafajshëm: e sheh të kryqëzuar dhe e quan Mbret; e kupton se të kesh jetë, do të thotë të rrish me Krishtin, sepse atje ku është Krishti, është edhe Mbretëria; e kështu lavdia hyjnore tashmë bëhet e pranishme, ndonëse e fshehur pas shpërfytyrimit të kryqit:
Në Jezusin e kryqëzuar realizohet zbulesa më e madhe e mundshme e Hyjit në këtë botë, sepse Hyji është dashuri e vdekja në kryq është akti më i madh i dashurisë në mbarë historinë. E pra, mbi unazën kardinalore që do t’u dorëzoj pas pak anëtarëve të rinj të Kolegjit kishtar, paraqitet pikërisht kryqëzimi. Ky, të dashur Vëllezër Kardinaj të rinj, do të jetë për ju ftesë e përhershme, që do t’ju kujtojë cilit Mbret i shërbeni, mbi cilin fron është lartuar e si qëndroi besnik deri në fund të fundit, për të fituar mbi mëkatin e mbi vdekjen me forcën e mëshirës hyjnore. Kisha Nënë, nusja e Krishtit, jua dhuron këtë shenjë dalluese si kujtim i dhëndrrit të saj, që e desh aq, sa të dënonte vetveten për të (cfr Ef 5,25). Kështu, duke mbajtur unazën kardinalore, ju ftoheni vazhdimisht të jepni jetën për Kishën”.
Kisha, pra, është e thirrur t’ i shërbejë besnikërisht së vërtetës së Krishtit, që vdiq e u ngjall për shëlbimin tonë:
“Kisha është rojtare e misterit të Krishtit, plot përvujtëri, pa hijen e mburrjes ose të arrogancës, sepse është fjala për dhuratën më të lartë që ka marrë, pa kurrfarë merite, dhuratë të cilën është e thirrur t’ia ofrojë falas njerëzimit të të gjitha epokave, për t’i hapur kështu horizontin e domethënies së shëlbimit. Nuk është filozofi, s’është as dije, ndonëse i përfshin si njohjen, ashtu edhe dijen. Është misteri i Krishtit; është vetë Krishti, Fjala e Hyjit, që u mishërua, vdiq e u ngjall e u bë Mbret i gjithësisë”.
E si mund të mos entuziazmohemi – vijoi Papa – e të mos ndjejmë një mirënjohje të thellë që u lejuam të sodisim shkëlqimin e kësaj zbulese?
“Si mund të mos e ndjejmë gëzimin, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë për t’i shërbyer këtij Mbreti, për ta dëshmuar me jetë e me fjalë pushtetin e tij? Kjo është, në mënyrë të veçantë, detyra jonë, të nderuar Vëllezër Kardinaj: t’i kumtojmë botës vërtetësinë e Krishtit, shpresë për çdo njeri dhe për mbarë familjen njerëzore” .
Me këtë mision lidhet ngushtë impenjimi për paqen ndërmjet të gjithë nxënësve të Krishtit, si shenjë e paqes që Jezusi erdhi t’ia sillte botës përmes kryqit:
“Kisha është ajo pjesë e njerëzimit në cilën tashmë duket sundimi mbretëror i Krishtit, që gjen shprehjen e vet tek paqja. Është Jeruzalemi i ri, akoma i papërkryer, sepse shtegtar në kohë, por i aftë për të parashijuar, në një farë mënyre, Jeruzalemin qiellor… Lutja për paqen dhe unitetin është misioni i parë e kryesor, që Kisha të jetë e fortë dhe e bashkuar (v.3), simbol e mjet i unitetit për mbarë gjininë njerëzore” (cfr Lumen gentium, 1) .

 
Në përfundim të kremtimit, Papa doli në tremen e Bazilikës së Vatikanit për lutjen e Engjëllit të Tënzot si dhe për të bekuar mijëra besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Përshëndeti në mënyrë të posaçme besimtarët irakianë, ardhur në Romë për të marrë pjesë në gëzimin e Patrikut të Babilonisë së Kaldejve, Emanuelit III Deli, një nga 23 kardinajtë e rinj. Benedikti XVI kujtoi edhe takimin e rangut të lartë për paqen në Lindjen e Mesme, që do të mbahet të martën e ardhshme në Anapolis të SHBA. Izraelitët e palestinezët – tha Papa – me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare, do të përpiqen t’i rifillojnë bisedimet për të gjetur një rrugëzgjidhje të drejtë e përfundimtare të konfliktit, që vijon prej 60 vjetësh, duke e larë në gjak Tokën Shenjte e duke u shkaktuar shumë lot e vuajtje të dy popujve. Më pas bëri thirrje:
Ju porosis të bashkoheni në Ditën e lutjes, organizuar sot nga Konferenca Ipeshkvnore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar nga Shpirti Shenjt paqen për këtë zonë tepër të dashur si dhe dhuratat e urtisë e të guximit për të gjithë protagonistët e këtij takimi të rëndësishëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.