2007-11-24 16:18:12

Madhështia e vërtetë e krishterë duhet kërkuar tek shërbimi e jo tek sundimi: kështu u shpreh Papa në Koncistorin për krijimin e 23 kardinajve të rinj, të cilët i ftoi të jenë dëshmitarë të shpresës ungjillore.


(24.11.2007 RV)Çdo nxënës i vërtetë i Krishtit merr pjesë në mundimet e Tij, pa kërkuar kurrfarë shpërblimi. Me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI 23 kardinajve të rinj, nga të cilët 18 me të drejtë zgjedhore, krijuar në Koncistorin e kremtuar sot paradite në Bazilikën e Vatikanit. Një kremtim tejèt prekës - siç u shpreh edhe vetë Papa – sepse pasqyroi qartë unitetin e kardinajve rreth Pasardhësit të Pjetrit, por edhe një rast providencial për t’i dhënë qytetit të Romës e botës mbarë dëshminë e këtij uniteti, që i lidh ngushtë kardinajtë me Papën: kështu e përmblodhi Benedikti XVI vlerën e jashtëzakonshme të Koncistorit të sotëm për krijimin e 23 kardinajve të rinj. Një shenjë e qartë e unitetit katolik - vijoi Ati i Shenjtë – që shkakton përherë emocione të posaçme. Komentoi, kështu, fragmentin e Ungjillit sipas Lukës, në të cilin nxënësit e Krishtit shprehin dëshirën arriviste për të zënë vendet më të mira në mbretërinë mesianike. Jezusi – vërejti Benedikti XVI, e qorton konceptimin e tyre trashanik, sipas të cilit njeriu mund të kërkojë të drejta prej Zotit. Tepër aktual ky qortim:
Marku Ungjilltar na kujton, të dashur e të nderuar Vëllezër, se çdo nxënës i vërtetë i Krishtit mund të synojë një gjë të vetme: të marrë pjesë në mundimet e Tij, pa kërkuar kurrfarë shpërblimi. I krishteri, duke ecur në gjurmët e Krishtit, është i thirrur të bëhet shërbëtor e ta shkrijë gjithë jetën e vet për të tjerët, krejt falas e pa kurrfarë interesi. Çdo gjest e çdo fjalë e jona duhet të jetë dhuratë e përvujtë e vetvetes për të mirën e Kishës e jo etje për pushtet e për sukses. Madhështia e vërtetë e krishterë nuk duhet kërkuar tek sundimi, por tek shërbimi”.
Ja, ky është ideali që duhet të orientojë shërbimin tonë – tha Papa - duke nënvizuar se kardinajve të rinj Zoti u kërkon e u beson “shërbimin e dashurisë deri në derdhjen e gjakut:
”Dashuri për Hyjin, dashuri për Kishën e tij, dashuri për vëllezërit me dedikimin më të madh e më të pakushtëzuar, usque ad sanguinis effusionem, siç na kujton formula për vënien e kapuçit e siç e tregon edhe ngjyra e kuqe e veshjes që mbani”
Kremtimi i sotëm – vijoi Papa – nënvizon përgjegjësinë e madhe që peshon mbi kardinajtë, të cilët janë thirrur nga Krishti të dëshmojnë para njerëzve të vërtetën e tij, t’i kushtohen e ta kumtojnë kauzën e tij. Një kumtim – vërejti Papa – që duhet bërë me ëmbëlsi, me respekt e drejtësi, dmth me përvujtërinë shpirtërore që është fryt i bashkëpunimit me hirin e Hyjit. Është një përgjegjësi që nuk të shpëton nga rreziqet – vërejti Ati i Shenjtë – por, siç na kujton Pjetri, në se kështu do Zoti, është më e pëlqyeshme të vuash duke bërë mirë, sesa të bësh keq. Më pas Benedikti XVI foli për rolin e Kolegjit Kishtar të Kardinajve, në të cilin – shpjegoi Papa – rijeton presbiteri i lashtë i Ipeshkvit të Romës, anëtarët e të cilit, ndërsa zhvillonin funksione baritore e liturgjike në Kishat e ndryshme, bashkëpunonin ngushtësisht me Pasardhësin e Pjetrit në përmbushjen e detyrave që lidhen me shërbimin e tij universal apostolik:
Kohët kanë ndryshuar e familja e madhe e nxënësve të Krishtit është përhapur sot në të gjitha kontinentet, deri në skajet më të largëta të tokës, flet të gjitha gjuhët e botës e përfshin popuj të të gjitha kulturave. Larmia e anëtarëve të Kolegjit Kardinalor, që vijnë nga zona të ndryshme gjeografike e kulturore, vë në dukje jo vetëm këtë përhapje providenciale, por njëkohësisht edhe kërkesat baritore, të cilave duhet t’u përgjigjet Papa”.
Universaliteti, katoliciteti – pohoi Ati i Shenjtë – pasqyrohet qartë në përbërjen e Kolegjit të kardinajve. Secili nga ju – vijoi Benedikti XVI duke iu drejtuar kardinajve të rinj – përfaqëson një pjesë të Korpit mistik të Krishtit, që është Kisha e përhapur në të katër anët. Më pas Papa kujtoi posaçërisht bashkësitë e krishtera, të cilat ndodhen para sfidash të mëdha, kalojnë vështirësi e provojnë vuajtje të të gjitha natyrave:
Ndërmjet tyre, si të mos kujtojmë me shqetësim e dashuri, në këtë çast gëzimi, bashkësitë e krishtera që jetojnë në Irak? Këta vëllezër e motra në fe provojnë në korpin e tyre pasojat dramatike të një konflikti, që s’i duket fundi e jetojnë në një situatë politike tepër delikate e të paqëndrueshme. Duke thirrur për të hyrë në Kolegjin Kardinalor Patrikun e Kishës kaldeje, desha të shpreh në mënyrë konkrete afërsinë time shpirtërore dhe dashurinë time për këto popullsi”.
Më pas Ati i Shenjtë ripohoi solidaritetin e mbarë Kishës për të krishterët e tokës së dashur irakiane, duke iu lutur Zotit të mëshirshëm t’u dhurojë pajtimin e paqen të gjithë popujve që pësojnë nga konflikti.
Afërsinë me Kishën irakiane e shprehu me forcë edhe kardinali i ri, Leonardo Sandri, i cili e përshëndeti Papën në emër të të gjithë kardinajve të sapokrijuar, duke theksuar posaçërisht besnikërinë ndaj Pasardhësit të Pjetrit:
Jemi e do të jemi pranë Jush, Atë i Shenjtë, në çaste të jashtëzakonshme e të zakonshme të shërbimit papnor. Dëshirojmë të mbetemi me Papën si kur bëhet shërbëtor i së vërtetës dhe shpall parinë e Zotit, ashtu edhe kur i prin Kishës në rrugën e përtëritjes, që buron nga besnikëria ndaj traditës; si kur bën thirrje për paqe, duke theksuar forcën e lutjes e të dialogut, ashtu edhe kur nxit unitetin e të krishterëve e respektin për të gjitha fetë e kulturat, duke përjashtuar çdo lloj dhune”.
Në këtë ditë gëzimi, Papa kujtoi edhe të ndjerin imzot Ignaci Jesh, që u kthye në shtëpinë e Atit qiellor pak para se të lartohej në dinjitetin kardinalor. Kujtoi edhe se nesër, gjithnjë në Bazilikën e Vatikanit, do të kremtojë Meshën me kardinajtë e rinj, të cilëve do t’u dorëzojë unazën kardinalore. Eshtë një rast shumë i përshtatshëm – tha Papa – për të ripohuar unitetin tonë në Krishtin e për të përsëritur vullnetin tonë që t’i shërbejmë me përkushtim të plotë”.Kujtojmë se marrja e unazës do të jetë përsëritje e ‘po’-së së kardinajve të rinj, përsëritje e përgjigjes ‘Ja ku jam , o Zot!’ që ia thonë Zotit Jezus, i cili i ka zgjedhur e i ka caktuar. Ia thonë edhe Kishës së Tij shenjte, së cilës janë të thirrur t’i shërbejnë me dashuri, sepse unaza i lidh në martesë simbolike me Kishën e Krishtit. Dy përmasat e Kishës, mariane e petrine, takohen në atë që përbën përmbushjen e të dyjave, do me thënë, në vlerën e lartë të dashurisë, ‘karizma më e madhe’ e ‘rruga më e mirë nga të gjitha’, siç shkruan Shën Pali Apostull”.







All the contents on this site are copyrighted ©.