2007-11-23 17:53:12

Pakistani pezullohet nga Komonuelthi e lajme të tjera


(23.11.2007 RV)Gjykata e Lartë e Pakistanit, e spastruar nga gjykatësit kundërshtarë të presidentit Musharraf, konfirmoi legjitimitetin e gjendjes së emergjencës, të shpallur më 3 nëntor. I hap kështu rrugën zgjedhjes së Musharrafit për mandatin e dytë presidencial pesëvjeçar. Pak pas vendimit, Komonuelthi, që pati kërkuar heqjen e gjendjes së emergjencës dhe i pati lënë afat Pakistanit për këtë deri më 22 nëntor, pezulloi anëtarësimin e Islamabadit në organizatën 53 vendëshe. Menjëherë, qeveria pakistaneze e përkufizoi vendimin si “të paarësyeshëm dhe të pajustifikuar”. Është hera e dytë që Pakistani pezullohet nga Komonuelthi. Herën e parë, pezullimi zgjati që nga viti 1999 deri në vitin 2004, pa ndonjë ndikim të madh në politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit.

Dhjetë të vdekur e 40 të plagosur. Ky është bilanci i tre atentateve pranë gjykatave civile të tre qyteteve indiane. Autorësinë e mori përsipër një grup i quajtur “Muxhajdinët indianë”, i cili ka rivendikuar edhe sulmet në Nju Delhi në vitin 2005 dhe atë të 26 gushtit të këtij viti në Hiderabad, të cilat kanë shkaktuar rreth 100 viktima.

Izraelitët dhe palestinezët nuk arritën të merren vesh për një dokument përfundimtar të përbashkët, që duhej paraqitur në Konferencën e Anapolisit, e cila do të mbahet javën që vjen. Kësaj vështirësie, të parashikuar prej kohësh, i shtohet edhe thirrja e sotme e Hamasit, i cili i ka ftuar vendet që kanë deklaruar se do të marrin pjesë në konferencë, të mos normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin. Ndërkaq, sot u konfirmua pjesëmarrja e ministrit të jashtëm të Arabisë Saudite, princit Saud al Faisal dhe të Lidhjes Arabe.







All the contents on this site are copyrighted ©.