2007-11-23 18:28:01

Hijet e të vdekurve në mitologjinë e Maleve të Shqipërisë*


(23.11.2007 RV)Malsorët e Malsisë së Madhe besojnë se njeriu pas vdekjes ruan hijen e vet, e cila endet nepër ato vende ku ay pat zakon të shkonte në ketë jetë. Me fjalë të tjera, ata pranojnë një gjendje të tretë e të ndërmjeme, që nuk ësht më jeta tokësore, por as edhe gjëndja e palëndët e shpirtit kur zgjidhet e shkoqet prej pështjelljes së trupit njerëzor. Kjo hije i përshtatet saktësisht hijes së systemit të mytologjisë pagane, ku ajo që quhej hije nuk ishte as shpirt as trup, por një qënje e ndërmjeme. Njeriu, kështu i ndrruar, ruan pamjen e tij të parë dhe hija e tij, pa u larguar nga vendet ku pat jetuar i gjalli, shkon e endet nepër fusha e male duke përshkuar shum a pak atë rrymë të jetës që kalonte në ketë botë. Kështu banorët e Malsisë së Vogël besojnë edhe se kur dikush jep shpirt, hija e tij shkon në mes të natës te prifti për t’u rrëfyer.
Kur në mes të natës lehin qent e njëj lagjeje dhe malsorët dalin jashtë e nuk shohin njeri, atëherë thonë se janë hijet e të vdekurvet, të cilat vinë t’i shprehin shpirtit të ndonjëj të gjalli se i ka ardhur ora të vdesë.
Dhe shpirtrat e të vdekurvet vijonë edhe n’atë botë të bëjnë pjesë në familje, të cilën s’e lënë kurr, dhe zakonisht rrinë në krye të vatrës ku janë ngulur dy gurë (përboça). Ay vënd për njerzit e shtëpisë ësht i shenjtë dhe kanë kujdes që të mos derdhin uj ase gjë tjetër për të mos çqetësuar hijet.
Këto hije nuk e lënë pa ardhur të vizitojnë fisin e vet, sidomos në të kremtet familjare; dhe në gostën e zakonit shtrohen afër vatrës. Dhe atëherë kur kreu i shtëpisë me të vetët rreth e përqark ndez qirín kushtor, i lë çelur derën dhe gjithë dritaret, prej nga do të hyjnë ata shpirtra të dashur, si besojnë këta Malsorë; në tryezë lihet një vend i lirë, ku ata do t’ulen të marrin pjesë me ta bashkë në gëzimin e shtëpisë. Këta shpirtra janë për ta si hije mbrojtëse sikurse lares të kohvet të lashta ndër Romakë.
Sikurse të moçmit kishin hijen e panginjur që kërkonte gjak e ahmarrje, kështu edhe në këto male besohet se shpirtrat e atyre që kanë vdekur me vdekje të përdhunshme, i ndjekin n’atë jetë shpirtrat e gjaksvet të tyre, mun ashtu sikurse thotë Platoni në librin e IX të ligjvet të tija.
  * Mbledhur nga dr. Ernest Cozzi, prift misionar në malet e Veriut e më vonë, Delegat i Selisë Papnore në Shkodër. Fragmenti u shkëput nga përshkrimi i tij me titull “Credenze e superstizioni nelle Montagne dell’Albania”, botuar më 1914 në të përkohshmen “Anthropos” që delte në Vjenë.








All the contents on this site are copyrighted ©.