2007-11-22 18:01:07

Alarm varfërie në Evropë. 17 milion fëmijë në kushte të vështira.


(22.11.2007 RV)Evropa e plakur dhe e pasur regjistron një të ashtuquajtur “anomali” në hartën e të varfërve. Sipas vlerësimeve të UNICEF-it, 17 milion fëmijë jetojnë në kushte të vështira e nuk janë vetëm pjesë e familjeve të emigrantëve, të cilët mbeten gjithsesi një kontribut i konsiderueshëm në këtë shifër. Të tjerët bëjnë pjesë në familjet e mesme, janë fëmijë të prindërve të ndarë, ose të pamartuar, që jetojnë vetëm me nënën ose me babain. Sidomos nënat me fëmijë i drejtohen gjithnjë e më shpesh shërbimeve sociale, pasi të paafta për të ushqyer vetë fëmijët. Ekziston gjithashtu një hendek i madh ndërmjet veriut e jugut të Evropës, përsa i përket shërbimeve për fëmijët. Vende si Italia, Spanja dhe Greqia janë në fund të listës. Mungojnë çerdhet e kopshtet e shpesh, njëri nga prindërit detyrohet të lërë punën për të qëndruar në shtëpi me fëmijët, duke e zvogëluar kështu buxhetin familjar.


Parlamenti evropian ka miratuar këto ditë një rezolutë, me të cilën dënon dhunën kundër të krishterëve në botë. Pasi përmenden raste të shumta të shkeljeve të të drejtave të bashkësive fetare, sidomos në Irak e Pakistan, në kampet e refugjatëve e në vendet ku ka më shumë emigrantë, rezoluta përshkruan hollësisht persekutimin shtetëror të cilit i nënshtrohen sidomos katolikët në Kinë. Ipeshkvijtë dhe shumë funksionarë të kishës së pamiratuar nga Pekini, ndodhen në burg prej vitesh e bashkësia ka vështirësi për t’u mbledhur e për të kremtuar meshën. Europarlamenti u kërkon qeverive, por sidomos krerëve fetarë, të kontribuojnë në zhdukjen e ekstremizmit fetar dhe të promovojnë tolerancën kundër urrejtjes e radikalizimit të fesë. Institucionet evropiane ftohen të monitorojnë situatën, sidomos në zonat në rrezik dhe të caktojnë fonde e të bashkëpunojnë me ato vende që respektojnë liritë themelore, ndër të cilat ajo e kultit.








All the contents on this site are copyrighted ©.