2007-11-21 18:08:14

Vdekja e ringjallja në mitologjinë e gjallë të maleve.


(21.11.2007 RV)Kulti i të vdekunvet
Kulti i të vdekunvet ndër malet e kanunit âsht teprica mâ arkaike e fisevet hindo-europjane, ruejtë besnikisht vetëm ndër këto malet t’ona. Në shkojsh në Mirditë, ke për t’a pám të vdekunin veshë e mbathë me mâ të burrnueshmet petka, mbështetë më nji kathedër e grát e shoqnís palë e palë përvajshëm tue hjekë vallen e përmortëshme. Në shkojsh në Malsi të Madhe, ké për t’i pám burrat e fisit çetë çetë tue i u avitë të vdekunit, ndërsa brimtari i çetës me nji zâ të thekshëm, tue thirrë me emën të vdekunin, nisë gjamën me fjalët: I mjeri unë për ty, miku i em ! I mjeri unë për ata sy të verbue, për atë gojë të shkrumue, për at shtat të rrxue ! Ti ndera e konakut, ti shtylla e bajrakut, ti prita e mizorit, ti forca e llogorit, ti ndera e miq’et etj. e kështu kambë-kambë prap tue i u avitë të vdekunit, ndjekë fjalët tjera mâ të thekëshme, mâ të bukura ku të jén, mâ kreshniket për burrin e shuem.
Shungullojnë malet në Dukagjin kur t’i dalë zâni fisit, se vdiq bajraktari, ndonji krye a çdo burrë tjetër. Skena të përshkrueme prej klasikvet të vjetër për kultin e të vdekunvet, këtu shifen krejt të gjalla, të pandryshueshme. Ndërsa te shtëpija duhet me i zgjithë shpirtin të vekunit tue prém berre te leshta për miq qi vijnë me pám, atje te vorret kur baret vigu, gjama gjamën s’e pret. Me mbetë njerí pa mend për tanë at nderim qi kanë këto male për të vdekun. Me hap të thekshëm, lëvizje trupi e krahësh e fytyre krejt symetrike, thue se po e shofin atje në nën-jetë shpirtin e të vdekunit tue ndêjë me hijet e të Parvet, lagje mbas lagjesh aviten gjamatarët, do tue i rám përsipri, do tjerë përtej tue lëmuem tokën; tjerët në kambë tue rrahë parzmat e gjithmonë tue përsëritun po ato fjalë: I mjeri unë për ty, vllau i em, mjeri unë, ooo ! Veshë me petkat mâ të bukurat në jetë të vet e me armët e brezit e të krahut ngjat vehtes, nën hijen e ndonjij blini jetik, rrin i vdekuni si në të mbështetun, rrethuem prej gravet, qi kur prâjnë gjamët e burravet, me fjalët mâ të bukurat, burrat tue ndigjuem e ato tue êndë fjalet, përmendin punët e mira të tijat e të të Parvet të tij, të shumtën e herës me nji rend fjalësh aq poetike, sa me u a pasë mâ i miri poet lakmí. Ndërsa të Parët e vllaznija e vdekunit presin e përcjellin miqt qi kanë ardhë me e pàm, e tue ndêjë në kambë me mâ të madhen njerzi, per çdo shërbim, qi lypë i vdekuni në natën e vetme. Mbassi të kén kaluem trí orë natë, shtîhet në vorr, ku përsëritet bestytnija e të vdekunvet si n’ato kohët e parahindo-europjane me i shtîm pare në gojë të vdekunit për urën qi do të kalojë, mbassi t’i kén shtruem shtrojë, qi liturgija mijëvjeçare urdhnon për ketë rasë, lëkurën e njij berri të leshët.
Qysh në rektim të dekës, rreth së cilës kohë bashkohen hijet e të Parvet për t’i a bâm vdekjen mâ t’ambël e me i prîm në tjetrën jetë njeriut te vet, e deri në të tretën ditë mbassi të vorrohet, ku qiten petkat e tija, prap i bâhen gjamë; nji varg bestytnísh kryhet ritualisht për rreth të të vdekunit me mâ të madhen vêmendje. Kur të jét tue hjekë, duhet me e sjellë të vdekunin me fytyrë prej të lemit të diellit. Porsa të qitet vigu jashta dere së shtëpis, duhet me e mbyllë dhe me e ckatë me brisk derën e shtëpis. Tri herë do të zbulohet fytyra e të vdekunit në vorr, e atëherë rreth e për qark i qitet duhan për aromë, ndërsa nji njeri do të rrijë gati për të shkyem nji copë pëlhurë, e në qofte famull kripit te paprém, kumbara i merr flokët. Në të tretën ditë, nji njeri do t’i sillet për tri herë rresht vorrit tue filluem n’e djathtën. Kur të fillohet me u çelë vorri, nji mâ plaku e merr kazmën me duer mbas shpine e nisë me bâ spari katër shêjet e vorrit, mandej e tretë kazmën: të rijtë rrijnë gati e nisin me çelë vorrin. Sa herë të shëndrrohen puntorët, duhet me i a vûm mendjen mirë mos me ia dhânë shoqit veglat në dorë, po me ia lëshue në tokë, dhe prej toke i merr tjetri.
Po u martue nje vejan, n’atë minutë qi të vijë nusja te shtëpia e burrit, nji njeri i shtëpis shkon te vorri i grues së parë dhe lëshon do uj, qi mos të marrë vorri flakë.
Ditën e të bjerrvet - dita e të Shuemvet - tanë Dukagjini do të japë ndonji lëmoshë te vorret e të Parvet për shpirtën të të bjerrvet. Me shkuem ndër katunde të Mërturit, edhe sot shifen tue zie mazë ndër vorre për t’ua shpërndám të vorfënvet, qi të thirrun herë prej njenit herë prej tjetrit, bashkojnë kosha me bukë, djathë, tlyen, kos, duhan, kështeja dhe gjithnduer pêmësh, pse âsht detyrë shejte qi shka të qesë toka, me u a shpërndám të vorfënvet te vorret për shpirtënt e të bjerrvet.
 Mbledhur nga Atë Bernardin Palaj







All the contents on this site are copyrighted ©.