2007-11-21 17:34:25

Solana: Shqipëria të bëjë reformat dhe të krijojë pozitivitet në politikë


(21.11.2007 RV)Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi është takuar sot me përfaqësuesin e lartë për politikën e jashtme në Bashkimin Evropian, Havier Solana në Bruksel. Ky i fundit ka vënë në dukje se Shqipërisë i duhen reformat ekonomike për të vazhduar rrugën drejt integrimit evropian dhe një bashkëpunim më i mirë ndërmjet forcave politike. “Të kthehet shteti i së drejtës në Shqipëri”: ky ishte imperativi i Solanës, që u konfirmua edhe nga presidenti Topi në konferencën e përbashkët për shtyp.
Është folur edhe për çështjen e Kosovës, për të cilën Solana kërkoi një zgjidhje të shpejtë para përfundimit të mandatit të Treshes së negociatorëve ndërkombëtarë. Dje, takimi serbo-kosovar në Bruksel, përfundoi pa ndonjë rezultat, siç pritej.

Gazeta britanike “Fajnenshëll Tajms”(Financial Times) i kushton Kosovës dhe çështjes së saj një nga komentet e djeshme. Duke pranuar se koha e përcaktimit të statusit është afër, gazeta vë në dukje se si në rastin e dhënies së pavarësisë, ashtu edhe në rastin e mbetjes së Kosovës brenda kufijve të Serbisë, problemet në Ballkan do të jenë të mëdha.
Nëse Kosovës i jepet pavarësia, Bashkimit Evropian i duhet ta përballojë situatën i bashkuar. Nuk mund të ketë një votim në Këshillin e Sigurimit dhe SHBA, pavarësisht se do ta mbështesin Prishtinën, nuk do të ndërhyjnë në administrimin e mëtejshëm të situatës. Në rastin më të keq, Evropa duhet të shkojë përpara me shumicën e votave të shteteve të saj anëtare e duhet të sigurojë një mision paqeruajtës e qeverisës në Kosovë, i cili do të jetë i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Skenari i “Fajnenshëll Tajms” është nga më të frikshmit. Sipas gazetës, serbët e veriut të Kosovës do të kërkojnë ndarjen e saj. Serbët e Bosnjës do të kërkojnë bashkimin me Serbinë, ndërsa shqiptarët e jugut të Serbisë dhe ata të Maqedonisë do të kërkojnë të bashkohen me Kosovën. Rreziqet janë të qarta – shpjegon gazeta – por edhe shtyrja e mëtejshme e përcaktimit të statusit të Kosovës nuk është një opcion i pranueshëm. Shqiptarët nuk do t’i presin më ndërkombëtarët. E nëse ata veprojnë kokë më vete – paralajmëron “Fajnenshëll Tajms” – rreziku i dhunës do të jetë shumë më i madh.
Rreziku i një konflikti të ri në Ballkan parashikohet edhe në një koment në gazetën britanike “Dhë Gardian” (The Guardian), ku autori, Sajmën Xhenkins përdor tone shumë të forta për të argumentuar se Kosova nuk duhet të kërkojë pavarësinë. Gjithsesi, ai nënvizon se situata në të cilën po jeton rajoni është rezultat i veprimit dritëshkurtër të bashkësisë ndërkombëtare. Nëse lufta do të rifillojë - përfundon gazeta – Kosova nuk do të radhitej ndër fitimtarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.