2007-11-21 17:37:56

Më 27 nëntor, konferenca amerikane mbi Lindjen e Mesme. Koment i nuncit apostolik në Izrael


(21.11.2007 RV)SHBA-të shpallën zyrtarisht se Konferenca e paqes për Lindjen e Mesme, argumenti kryesor i politikës së jashtme amerikane të kohëve të fundit, do të mbahet më 27 nëntor në Anapolis të Merilendit. Ndër 49 vendet dhe organizatat e ftuara, figurojnë edhe shtete arabe të rëndësishme për vendimet që duhen marrë, si Arabia Saudite dhe Siria, të cilat, sipas burimeve arabe, duhet ta pranojnë ftesën. Sa do të jetë në gjendje kjo konferencë t’i hapë rrugën procesit të paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve e në përgjithësi në të gjithë Lindjen e Mesme? Të dëgjojmë opinionin e nuncit apostolik në Izrael dhe delegatit apostolik në Jeruzalem e Palestinë, imzot Antonio Franko:
Mendoj se i gjithë rajoni në përgjithësi pret dhe dëshiron paqen. Të gjithë janë lodhur nga situata e nga fazat e tensionit e të dhunës, sepse kështu nuk jetohet. Sigurisht, shpresa është e madhe, por premisat më duket se akoma nuk kanë lejuar përvijimin e një programi apo të një marrëveshjeje mbi qëllimin që duhet arritur dhe se si duhet arritur.
Sipas jush, ka ndonjë që nuk është i interesuar për paqen e dialogun në Lindjen e Mesme?
Sigurisht që duhet më shumë vullnet, sidomos për të kuptuar se përpjekjet që duhen bërë duhet të kenë vulën e arësyes dhe të vështrimit pozitiv, në mënyrë që të mbizotërojnë zgjidhje të drejta, të cilat mbajnë parasysh kërkesat dhe aspiratat si të njërit, ashtu edhe të tjetrit. Ka nga ata që nuk duan ta ndihmojnë procesin e paqes, por unë nuk di kujt t’ia vë gishtin e nuk dua t’ia vë gishtin askujt.







All the contents on this site are copyrighted ©.