2007-11-21 17:55:48

Kisha përkujtoi festën e Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull dhe kremtoi Ditën e Klaustraleve.


(21.11.2007 RV)Mbi paraqitjen e Zojës në tempull, për t’iu kushtuar Zotit qysh në foshnjëri, na flasin vetëm tradita dhe shkrimet apokrife. Liturgjia lindore e kremtoi festën që në shekullin e katërt, ndërsa në Perëndim hyri në Kishë rreth shekullit XIV.
E kremtja përkujton kushtimin e Virgjërës Hyut me shpirt e me trup. Me ketë akt Zoja e Bekuar bëhet modeli i gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare.
Prandaj sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull, Kisha kremton edhe Ditën kushtuar rregulltareve të klauzurës, për të cilat Papa foli në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke theksuar se kuvendet e motrave kundruese i tregojnë botës së sotme se arsyeja kryesore për të cilën ia vlen të jetosh, është Hyji dhe dashuria e tij e pashqyrtueshme”.
Kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë të gjithëve. Maria, që paraqitet në tempull, është ikonë profetike e atyre që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve rregulltare. Kisha i shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje të veçantë manastireve, posaçërisht atyre që kalojnë çaste të vështira.
Gjatë Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët luten për ato që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës. Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar.
Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Krishti duhet të jetë në qëndër të jetës së tyre, se duhet të luten e të dëgjojnë fjalën e Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë e tyre. Kujtojmë se, sipas statistikave më të reja, në të pesë kontinentet numrohen 51 mijë rregulltare kundruese, që jetojnë në 3. 600 kuvende.







All the contents on this site are copyrighted ©.