2007-11-21 17:56:15

Dëshmia e motrës Roberta della Kieza, murgeshë klarise e kuvendit të Shën Kjarës në Jeruzalem.


(21.11.2007 RV)RealAudioMP3 Ka njerëz që pyesin: “Ç’ kuptim e ç’vlerë mund të ketë prania e murgeshave të klauzurës, në kohën tonë, përballë situatave të shumta e urgjente të varfërisë e të mjerimit?
Pse ‘të mbyllen’ përgjithmonë ndërmjet mureve të një manastiri e t’i lënë të tjerët pa ndihmesën e aftësive e të përvojës së fituar? Ç’fryt mund të ketë lutja e tyre për zgjidhjen e problemeve të shumta konkrete, që vijojnë ta trondisin njerëzimin?”.
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, ftuam në mikrofonin tonë motrën Roberta Della Kieza, murgeshë klarise në Jeruzalem:

 
Përgjigje: - Emri i klaustrales sot mund të shkaktojë frikë, por ne jemi këtu që të ndërmjetësojmë për të gjithë e për t’i thënë çdo njeriu, posaçërisht atij që vuan, se Hyji është dashuri, se Hyji na krijoi për të qenë vërtetë vëllezër e motra. Mbarë bota e di se këtu ku jetojmë ne, gjendja është shumë shqetësuese. Këtu banojnë dy popuj, ai i Izraelit e ai i Izmaelit e ne lutemi për të gjithë bijtë e Hyjit: për bijtë e Izraelit, që janë populli i Besëlidhjes, por edhe për bijtë e Izmaelit. Të dyja palët janë bij të Abrahamit e prej këndej, dëshira jonë më e madhe, besojmë edhe e Zotit, është që dy popujt të pajtohen e të jetojnë së bashku në paqe, me dashuri e respekt.

Pyetje: - Si depërton jeta e jashtme përtej mureve të kuvendit?

Përgjigje: - Zemra e klaustrales është shumë e vëmendshme. Ne i ndjekim të gjitha lajmet, më të rëndat e më pak të rëndat, që pastaj t’i kujtojmë konkretisht në lutje. Zemra e klaustrales rreh pranë gjithë atyre që vuajnë, pra edhe pranë njerëzve që jetojnë në Jeruzalem, të cilët shpesh trokasin në derën e kuvendit. Janë palestinezë, por edhe hebrenj. Vijnë të na sjellin ndonjë ëmbëlsirë, por më shumë, për të na lypur një lutje. Mjafton vetëm vështrimi i tyre, për ta ndjerë veten pranë njerëzve që kanë besim të patundur tek lutja e tek vlera e saj para syve të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.