2007-11-19 17:32:45

Papa thirrje solidariteti për popullsitë e Bangladeshit


(19.11.'07RV)Papa Benedikti XVI shpreh afërsinë e solidaritetin me popullsitë e Bangladeshit të goditur nga cikloni Sidr. Dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tenzot në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, të ndihmoj ata persona që janë goditur nga kjo fatëkeqësi natyrore që ka shkaktuar vdekje e shkatërrime të pallogaritshme:
“Bëj thirrje për solidaritet ndërkombëtar, i cili tashmë është vu në lëvizje për t’i bërë ballë nevojave të menjëhershme që ka popullsia e Bangladeshit. Inkurajoj ndërmarrjet e çdo përpjekjeje në ndihmë të këtyre vëllezërve që janë kaq rëndë të sprovuar “.
Para apelit për Bangladeshin, Papa Racinger u ndal për një reflektim mbi pjesën e ungjillit të së dielës, që na referon për thirrjen që Jezusi i drejton nxënësve të vet të mos kenë frikë, por t’i përballojnë me guxim e besim moskuptimet, vështirësitë e perndjekjet. Qysh në fillim, tha Ati i Shenjtë Benedikti XVI, Kisha “jeton duke pritur në lutje Zotërinë e vet, duke shqyrtuar shenjat e kohërave e duke tërhequr vëmendjen e besimtarëve të ruhen nga mesianizmat e rrjeshëm që paraqiten duke paralajmëruar mbarim e botës:
Në realitet, historia duhet ta bëjë rrjedhën e vet, që sjell edhe drama njerëzore e fatëkeqësi natyrore. Në to zhvillohet plani i shpëtimit të cilit Krishti i ka dhënë plotësimin në mishërimin, vdekjen e ngjalljen e vet. Këtë mister Kisha vazhdon ta kumtojë e ta zbatojë me predikime, me kremtime të sakramenteve e me dëshmi të dashurisë e të bamirësisë”.
“Nuk frikohemi për të ardhmen”, vijoi Papa, “edhe pse ajo mund të na duket me ngjyra të zymta, sepse Zoti i Jezu Krishtit që e ka marrë mbi vete historinë për ta hapur drejt plotësimit trashendental” është “fillimi e mbarimi” i historisë dhe i jetës njerëzore.
“Ai na garanton se në çdo gjest të vogël por të pastër të dashurisë është i tërë kuptimi i gjithësisë, e kush nuk heziton ta humbas jetën e vet për Të, e gjen atë në plotësi”.
Në vazhdim të reflektimit para Lutjes së Engjëllit të Tenzot dje Papa Benedikti XVI e përmendi Lumnimin e figurës së ndritshme të katolicizmit italian Antonio Rozminit që u bë dje pasdite në Novara të Italisë nga Prefekti i Kongregatës së Vatikanit për Cështjen e Shenjtorëve, kardinali Zhozé Saraiva Martìns. Duke folur për tiparet e këtij meshtari e njeriu të kulturës, “i frymëzuar nga dashuria për Zotin e për Kishën”, Papa mes tjerash tha:
“Ai dëshmoi virtytin e dashurisë në të gjitha përmasat e saj e në nivelin më të lartë, por ajo që e bëri më shumë të njohur qe impenjimi i tij bujar për atë që Rozmini e quante “dashuria intelektuale”, që do të thotë përkimi e pajtimi i aryses me fenë. Shembulli i tij e ndihmoi Kishën, posaçërisht bashkësinë kishtare italiane, të rritej në vetëdijen se drita e arsyes njerëzore dhe ajo e Hirit Hyjnor, kur ecin së bashku, bëhën burime bekimi për personin njerëzor e për mbarë shoqërinë”.
Një tjetër argument që Papa Benedikti XVI përmendi në vazhdim të reflektimit para Lutjes së Engjëllit të Tenzot është edhe shembulli i dashurisë së personave të përkushtuar e të shuguruar të jetës rregulltare, në mënyrë të posaçme ata që janë të thirrur nga Zoti në udhën e kundrimit nëpër kuvende të klauzurës. E pikërisht atyre, Kisha ua kushton një Ditë të posaçme më 21 nëntor, për të ripohuar se kuvendet murgare janë oaza spiritualiteti që na tregojnë se Zoti dhe dashuria e tij Hyjnore janë arsyet e mbrame për të cilat ja vlenë të jetosh deri në fund të jetës. Fjalë këto që na ftojnë të ndalemi e të mendojmë mbi forcën e dashurisë së krishterë:
“Feja që vepron në dashuri është ilaçi i vërtetë kundër mentalitetit nihilist, që në epokën tonë po përhapet gjithnjë më tepër me ndikimin e vet në botë”.
Së fundi Papa nuk mungoi pa përmendur edhe Asamblenë e Shteteve që kanë nënshkruar Marrëveshjen kundër minave që janë kundër njeriut, punimet e së cilës filluan dje në Jordani. Selia e Shenjtë, kujtoi Papa, është ndër nismëtaret kryesore të kësaj Marrëveshjeje. E kështu Ati i Shenjtë shprehi urimet dhe mbështetjen e tij për arritjen e rezultate të mira të kësaj konference, “në mënyrë që nga këto armë, që vazhdojnë të mbjellin viktima, ndër to edhe fëmijë, të ndalohen plotësisht”.
Së fundi, duke përshendetur shtegtarët e gjuhës franceze, Papa kutjoi se dje binte Dita Ndërkombëtare kundër aksidenteve rrugore. E këtu Benedikti XVI kërkoi të “dyfishohen përpjekjet për të ndihmuar shoferat të jenë të matur e të kujdesshëm, kështu që ta mbrojnë jetën personale dhe atë të tjerëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.