2007-11-19 17:48:06

Cikloni në Bangladesh: flitet për 15 mijë viktima


(19.11.2007 RV)RealAudioMP3 Katër ditë pas kalimit të ciklonit Sidr, Bangladeshi është akoma në emergjencë të plotë. Numri i viktimave e ka kaluar 3 mijëshin, por Gjysëmhëna e Kuqe vlerëson se bilanci mund të arrijë në 10 mijë vetë e madje organizata “Save the Children” flet për 15 mijë vetë. Programi Ushqimor Botëror ka siguruar racione ushqimesh, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të përballuar gjendjen. Përveç bukës së përditshme, mungon uji, tendat e ilaçet. Qeveria i është drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, nga e cila po vijnë ndihmat e para. Karitasi ndërkombëtar ka vënë në dispozicion një shumë fillestare prej 1 milion eurosh e më tepër po vijnë nga kishat lokale të vendeve perëndimore. Por për një vështrim më nga afër mbi gjendjen në vend të dëgjojmë imzot Bixhoi Niçeforus D’Kruz, ipeshkëv i Khulnës:
Pas ciklonit kemi konstatuar se në krejt zonën bregdetare të rajonit të Khulnës dhe Barisalit kanë vdekur mëse 8 mijë vetë e kemi shumë shkatërrime. Në veçanti, janë rrafshuar qindra shtëpi, të korrat kanë shkuar dëm e shumë kafshë shtëpiake janë mbytur nga përmbytjet ose nga rënia e ndërtesave.
Si po reagon Bangladeshi?
Për momentin me ndihmën e Karitasit, të organizatave humanitare dhe të kishës lokale, nëpërmjet Kongregatave të ndryshme e dioqezave, po përpiqemi të furnizojmë me ushqime, ilaçe dhe ujë popullsinë e goditur. U japim edhe qese për tenda në mënyrë që të ndërtojnë një strehë. Shumë persona kanë mundur të gjejnë strehë në shkolla e në kisha. Falë kësaj kemi shmangur një bilanc edhe më të rëndë.
Ati i Shenjtë foli dje për Bangladeshin, duke e siguruar krejt vendin për solidaritetin dhe për lutjet e tij…
Mendoj se mesazhi dhe lutjet e Atit të Shenjtë janë shumë të rëndësishme për vendin dhe për njerëzit tanë. Këtu, të krishterët janë pakicë, por Papa është kaq i shqetësuar për gjendjen tonë dhe ne e vlerësojmë shumë solidaritetin dhe lutjet e tij.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.