2007-11-15 17:00:07

SHBA-të gati për "planin C" në Pakistan e rishikojnë praninë në Irak


(15.11.2007 RV)Në mesnatë, presidenti pakistanez, Pervez Musharraf do të shpërndajë parlamentin, gati për të emëruar nesër një qeveri të përkohshme që do ta udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 9 janarit. Gjenerali, që prej tetë vjetësh në krye të vendit, ka deklaruar se do të heqë uniformën e kreut të Forcave të Armatosura, brenda 1 dhjetorit. Ndërkaq, opozitarët po bashkohen rreth Benazir Butos. Navaz Sharif, edhe ai ish-kryeministër në azil, dikur rival i saj, ka siguruar tani mbështetjen e tij në luftën për demokraci. Por e panjohura më e madhe janë SHBA-të. Sipas gazetës Nju Jork Tajms, administrata e presidentit Bush po humb besimin në aftësinë për mbijetesë politike të Musharrafit dhe po përgatitet të zbatojë të ashtuquajturin “planin C” për Pakistanin, në bashkëpunim me krerët ushtarakë, të cilët duhet të parashikojnë një president civil për vendin, që nuk duhet të jetë Musharrafi. Nesër pritet në vend n.2 i administratës Bush, Xhon Negroponte. Nga ana tjetër, njoftohet se dy civilë janë vrarë nga policia, gjatë një manifestimi proteste në Karaçi.

SHBA përgatiten të rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Irak. Shumica demokratike në Dhomën e Përfaqësuesve miratoi një kalendar të përkohshëm, në të cilin përcaktohet fillimi i tërheqjes nga Iraku brenda 30 ditësh nga vendimi për përfundimin e aksioneve luftarake në vend, vendim që duhet të merret para 15 dhjetorit 2008. Plani u votua me 218 vota pro e 203 kundër. Ndërkaq, në terren vazhdojnë operacionet ushtarake. Në ndeshjet me milicët janë vrarë 25 vetë të dyshuar si terroristë dhe 21 të tjerë janë kapur rob. Në atentatin vetëvrasës të paradites së sotme në Kirkuk gjetën vdekjen 7 vetë dhe u plagosën rreth 20 të tjerë.


Pershmergët apo milicët e presidentit të qeverisë rajonale të Kurdistanit irakian, Masud Barxani kanë rrethuar zonën ku ndodhen kampet e Partisë së Punës së Kurdistanit, në veri të Irakut dhe po pengojnë furnizimet dhe lëvizjen drejt kampeve. Kokretizohen kështu premtimet e amerkanëve dhe vetë irakianëve për të kontrolluar milicët kurdë, që krijojnë probleme në Turqi.
Dje, ministri i jashtëm turk, Ali Babaxhan lajmëroi se ka filluar bashkëpunimi i shërbimeve sekrete turke me amerikanët për këtë problem. Për momentin, largohet hipoteza e ndërhyrjes ushtarake të Ankarasë në veri të Irakut.







All the contents on this site are copyrighted ©.