2007-11-15 17:34:55

Në Parlamentin evropian – një Rezolutë mbi persekutimin e të krishterëve në botë.


(15.11.2007 RV)“Episode të rënda vënë në rrezik ekzistencën e bashkësive të krishtera dhe të bashkësive të tjera në Lindjen e Mesme e në vise të ndryshme të botës: kështu shkruhet në tekstin e Rezolutës që u paraqit sot pasdite në Parlamentin evropian, me nismën e zevendës-kryetarit të europarlamentit, Mario Mauro. Në tekst kujtohen episode të shumta, duke filluar nga persekutimet, tek vrasjet e tek situata e shpërnguljes në masë për shkak të gjendjes krejt të pasigurtë për jetën. E nuk janë të pakta vendet që jetojnë në situata të tilla: nga Gaza në Filippine; nga Iraku, në Pakistan; nga Turqia në Sudan. Por, ta dëgjojmë vetë autorin e nismës, të nderuarin Mario Mauro, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Nga seria e gjatë, pothuajse e pafundme e tragjedive dhe e tmerreve që na tronditën thellë gjatë vitit 2007, mundem të vërejmë se jeta e shumë njerëzve në vende të ndryshme të botës vihet në rrezik thjeshtë për shkak të fesë së tyre. Nga ky fakt buron shqetësimi i jashtëzakonshëm i institucioneve që ia kanë kushtuar jetën betejës për mbrojtjen të drejtave të njeriut. Ky është edhe kuadri në të cilin radhitet përpjekja për të propozuar një rezolutë, që fitoi mbi kundërshtimet tipike të ‘politikës korrekte’, e cila është e gatshme të luftojë për të gjitha tipet e pakicave, përveç atyre që në një farë mënyre të kujtojnë epitetin ‘kristiane’. Ndërsa ka rëndësi të madhe fakti që mendimet e shumë grupeve përkuan me tekstin që propozuam, gjë që flet vetë për përfundime pozitive.

Pyetje: - Ç’i kërkon konkretisht ky tekst institucioneve evropiane?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, të njohin nga afër gjendjen. E kjo nuk është gjë e paktë, Rezoluta ka një tekst mjaft të gjatë, pikërisht sepse hyjmë në hollësira e shpjegojmë rastet konkrete të shkeljes së të drejtave të njeriut, episodet e rënda e sistematike, të cilat i vënë në rrezik bashkësitë e krishtera. Në radhë të dytë, në një fragment të tekstit, kërkojmë që në vijën e bilancit e në vënien në jetë të programeve të donacionit të Bashkimit Evropian – kujtoj se Evropa është donatori më i madh në botë – të kihet parasysh që ndihmat për vendet nevojtare, të jepen në përkim me respektimin e pranisë së pakicave në këto vende.

Pyetje: - Zoti zevendës – kryetar, viti 2008 ka trokitur tashmë te porta e Bashkimi Evropian dëshiron të jetë vit ndërkulturor: jemi duke u përgatitur për këtë?

Përgjigje: - Kjo rezolutë është sadopak një mjet, i cili besoj se do të na ndihmojë të përgatitemi më mirë për dialogun ndërkulturor. Lëmë të kuptohet kështu se do t’i ndjekim nga afër vuajtjet mes të cilave, për fat të keq, jeton njeriu i kohës sonë, por edhe se mbi bazën e këtyre vuajtjeve mund të arrijmë tek një solidaritet më i madh, i cili na bashkon në një rrugë, ku është e mira që të gjithë njerëzit të ecin së bashku.







All the contents on this site are copyrighted ©.