2007-11-15 19:09:59

Arkivi tepër i pasur i Gjon Sinishtës, nxënës i jezuitëve, do të niset së shpejti për në Shqipëri.


(15.11.2007 RV)RealAudioMP3 Lajmin e solli në redaksinë tonë Rejmënd Frast, drejtor i Institutit Katolik ‘Danjel Dajani’ pranë Universitetit të San Franciskos në Kaliforni, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sinishtës, i cili gjatë gjithë periudhës së diktaturës nxori në Amerikë, revistën ‘Buletini katolik”, që sensibilizoi opinionin publik botëror mbi persekutimin fetar në Shqipëri.
Shkrimet më të mira të revistës u përmblodhën në librin “The fulfilled Promise (Premtimi i përmbushur”); A Documentary Account of religious persecution in Albania” – vepër e hartuar nën kujdesin e Gjon Sinishtës, botuar në Santa Clara, California, USA më 1976, që denoncon, përmes dëshmive, shkeljen e të gjitha të drejtave dhe lirive, pra edhe lirisë së fesë, në Shqipëri. Si revista, ashtu edhe libri, janë nxjerrë nga arkivi tepër i pasur i Gjon Sinishtës. Ja ç’na thotë Rejmënd Frast për të:
Përgjigje: - Mund të them se e kemi përgatitur arkivin, i cili është shumë i pasur me letra, dokumente, fotografi, dëshmi, regjistrime. Arkivi u ruajt gjithnjë në Universitetin e San Franciskos; tani do të niset për në Shqipëri. Do t’u besohet etërve jezuitë, që do të kujdesen për ruajtjen edhe shfrytëzimin e tij nga ana e studiuesve dhe personave të tjerë, që kanë interes ta shfletojnë. Kemi menduar që arkivi të ruhet në Shkodër, ku pushon në paqe edhe trupi i Gjonit.

Pyetje: - Pse pikërisht në Shkodër? 
Përgjigje: - Menduam... e edhe familja – që, ashtu si pushon në paqe në Shkodër, atje të ruhet edhe arkivi. E kjo sepse martirët e fesë së krishterë janë atje, e Gjoni ishte gjithë jetën dëshmitar i tyre. Isha në Shkodër kur u varros në praninë e një turme të jashtëzakonshme miqsh e dashamirësh, që e përshëndetën vullnetin e tij të fundit për të pushuar në atë varrezë të lumnueshme, ku shumë vorre i përngjasin elterëve. Tani edhe Arkivi do të vendoset në një vend po aq të lumnueshëm, në ish-Kolegjen Saveriane të etërve jezuitë, ku pati studiuar Gjoni.







All the contents on this site are copyrighted ©.