2007-11-14 18:10:26

Më 13 dhjetor Papa do të takohet me universitarët romakë në përgatitje të Krishtlindjes; do të arrijë nga Shqipëria Ikona e Zojës ‘Selia e dijes’.


(14.11.2007 RV)Të enjten, më 13 dhjetor, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, do të mbahet takimi tradicional i bashkësisë universitare me Benediktin XVI. Përsëritet kështu – nënvizon një Komunikatë e Vikariatit – takimi i studentëve me Papën në përgatitje të Krishtlindjes, organizuar për herë të parë nga Gjon Pali II në vitin 1979. Sipas programit, në orën 17. 00 do të kremtohet Eukaristia, kryesuar nga kardinali- vikar Kamilo Ruini. Në përfundim të ritit, të rinjtë do të takohen me Papën. Me këtë rast do të vijë nga Shqipëria Ikona e Zojës ‘Selia e Dijes’ e cila nga data 9 deri më 13 dhjetor, me rastin e Takimit evropian të studentëve universitarë, do të vizitojë disa famulli romake. Në përfundim të takimit me Benediktin XVI, studentët shqiptarë do t’ia dorëzojnë Ikonën delegacionit të studentëve rumunë, që do ta mbajnë deri më 1 mars 2008, kur Salla e Palit VI në Vatikan do të lidhet me Bukureshtin me rastin e Ditës VI evropiane të universitarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.