2007-11-14 18:34:15

Jep dorëheqjen Ministri i Drejtësisë në Shqipëri - Gjykata e Strasburgut i kërkon Tiranës të dëmshpërblejë për pronat e konfiskuara.


(14.11.2007 RV)Drejtësia mbetet pika e dobët e Shqipërisë. Ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali dha sot dorëheqjen, pas akuzave për korrupsion e moszbatim të ligjit që ngriti kundër tij drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Saimir Shehri. Ky i fundit dha dorëheqjen dje. Mediave shqiptare u është dhënë një regjistrim ku dëgjohet se si vëllai i Rusmalit i ka kërkuar kreut të komisionit të tenderave për burgjet, ta favorizojë atë në dhënien e tenderit për ndërtimin e burgut të Durrësit. Biznesi ka një vlerë prej 9 milion eurosh. Ministri nuk ka pranuar asgjë dhe ka hedhur poshtë akuzat.
Kjo është çështja e dytë e rëndësishme që trondit institucionet e drejtësisë në Shqipëri. Akoma nuk ka përfunduar çështja e prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku, e cila ndodhet në tryezën e presidentit Bamir Topi.


Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut i ka kërkuar Shqipërisë të dëmshpërblejë me urgjencë të gjithë ata që janë shpronësuar gjatë regjimit komunist. Qeveria e Tiranës, thekson Gjykata duke u shprehur mbi disa gjyqe të hapura, duhet t’u kthejë shtetasve të vet mijëra metra katrorë terren ose t’i dëmshpërblejë me shuma që në disa raste arrijnë 250 mijë ose edhe 500 mijë euro. Shumë persona i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut kundër qeverisë shqiptare, sidomos për ato raste kur atyre u ishte njohur e drejta për dëmshpërblim, por mbi terrene ishin ngritur shtëpi apo ndërtesa të tjera, deklaruar të ligjshme nga gjykatat shqiptare, duke anulluar kështu edhe dëmshperblimin. Gjykata e Strasburgut ka deklaruar se vendimet e magjistraturës shqiptare kanë qenë të njëanshme dhe se autoritetet duhet të marrin menjëherë masa për të zbatuar ç’ka është shkruar në “Aktin e Pronësisë” apo “Property Act” të vitit 1993.


Shqipëria do të ketë 5 seli të reja diplomatike brenda vitit të ardhshëm dhe do të përforcojë personelin e vet në Bruksel. Deklarata është e ministrit të jashtëm, Lulzim Basha. Do të hapen ambasada në Slloveni, në Indi, në Portugali, në Estoni dhe në Norvegji, si edhe një zyrë në Pakistan.







All the contents on this site are copyrighted ©.