Veprimtari festive me rastin e 28 nëntorit në Romë.
(13.11.2007 RV)Afrohet festa kombëtare e shqiptarëve, 28 nëntori e, me të,
nisin edhe ftesat për kremtimet 2007. Sipas traditës, edhe sivjet arbëreshë e
shqiptarë janë të ftuar të takohen në mjediset e Rrethit italo-shqiptar të Kulturës
‘Besa, në Via dei Greci, 46 – 00187 Romë. Sivjet në takimin, që do të mbahet të
shtunën, më 24 nëntor, ora 17. 30, në sallën e Rrethit “Besa”, do të përkujtohet
10-vjetori i vdekjes së Nënë Terezës. Me këtë rast do të projektohet një dokumentar
kushtuar Nënë Terezës, vepër e regjisorit shqiptar, Gjon Kolndrekaj. Veprimtarinë
do ta drejtojë doktoresha Katerina Xukaro, përkthyese e disa veprave kushtuar Nënë
Terezës.Të nesërmen, e dielë, 25 nëntor, në orën 10. 30, pranë Kishës së Shën Athanasit,
për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Atdhe e nëpër botë, do të kremtohet Liturgjia
Hyjnore në gjuhën shqipe e kënduar me muzikën e Atë Nilo Somma, meshtar- murg arbëresh
i Manastirit të Grotaferratës.