2007-11-13 17:06:23

Gjendje e vështirë në Pakistan


(13.11.2007 RV)Kryetarja e opozitës, Benazir Buto, që dje sërish në arrest shtëpiak, i kërkon presidentit Pervez Musharraf të japë dorëheqjen. Marrëveshja, sipas të cilës ajo do të bëhej kryeministre nën presidentin Musharraf, nuk vlen më, megjithëse i lejoi Benazir Butos të kthehej në vend nga Londra, ku qëndroi për 8 vjet si refugjate politike. Marrëveshja, shpjegoi ajo në një intervistë telefonike, është anulluar për shkak të përdorimit të forcës kundër grave e fëmijëve, nga ana e Musharrafit. Përsa i përket zgjedhjeve të 9 janarit, Buto njoftoi se partia e saj ka mundësi të mos marrë pjesë, pasi ato janë thjesht një farsë e regjimit. Pavarësisht nga arrestimet e përkrahësve të Benazir Butos, sot u zhvillua marrshimi i opozitës nga Lahore në Islamabad, që u ndalua dje nga policia. Morën pjesë qindra vetë.
Dje, 9 vendet që bëjnë pjesë në Komonuelth i dhanë Islamabadit një ultimatum, i cili parashikonte pezullimin e pjesëmarrjes së Pakistanit në këshillat e grupit, nëse nuk hiqej gjendja e emergjencës brenda dhjetë ditëve. Sot, qeveria e Musharrafit e hodhi poshtë këtë ultimatum. Nga Uashingtoni, njoftohet se do të niset për në Pakistan, n.2 i departamentit të shtetit, Xhon Negroponte, i cili do të kërkojë heqjen e gjendjes së emergjencës dhe organizimin e zgjedhjeve të lira.

Lajmet e fundit nga kufiri turko-irakian flasin për zhvendosjen e reparteve speciale të ushtrisë turke në veri të Irakut, por nuk dihet nëse kjo bën pjesë në ofensivën e paralajmëruar nga qeveria e Ankarasë. Sot, në ndeshje me armë me rebelët e Partisë së Punës së Kurdistanit, janë vrarë katër ushtarë turq.







All the contents on this site are copyrighted ©.