AKSH-ja: mbrojmë shqiptarët e Kosovës nga serbët; Shqipëria nuk është gati për central
bërthamor
(13.11.2007 RV)Ndërsa vazhdon fushata e zgjedhjeve në Kosovë, me rezultate
të kënaqshme sipas autoriteteve të Prishtinës, në veri të vendit Armata Kombëtare
Shqiptare (AKSH) betohet se do të mbrojë kufirin nga serbët deri në ushtarin e fundit.
Në një intervistë për agjensinë amerikane të lajmeve, Ësoshiejtid Pres (AP) një prej
komandatëve, që ka nën kontroll 40-50 veta, ka deklaruar se ai dhe shokët e tij janë
të zhgënjyer nga politikanët, ndërsa negociatat ndërkombëtare për statusin e Kosovës
kanë dështuar plotësisht. Sipas AKSH-së, armiqtë janë vetëm serbët që do të përpiqen
të kalojnë kufirin dhe anëtarët e grupimit ekstremit të Car Llazarit. Armata mbështet
UNMIK-un, NATO-n dhe forcën policore në Kosovë.
Ndërkaq, përfaqësuesi evropian
në Treshen e negociatorëve për statusin e Kosovës deklaroi mbrëmë se po fillon
një periudhë kritike për bisedimet, me të dyja palët që nuk lëvizin nga qëndrimet
e tyre. Nga Budapesti, ku është takuar me homologun e tij hungarez, kryeministri serb,
Vojisllav Koshtunica ka theksuar se pavarësia e Kosovës do të dhunonte kushtetutën
e Serbisë. Sipas tij, Beogradi po bën ç’është e mundur për të gjetur një kompromis
të pranueshëm, por pala shqiptare kërkon vetëm pavarësinë. Kryeministri hungarez,
Ferenc Gjorçani ka folur kohët e fundit për Kosovën me kancelaren gjermane Angela
Merkel dhe shpreson në një kompromis ndërmjet palëve. Të enjten, parashikohet një
mision i ministrit të jashtëm portugez, Luis Amado për në Shqipëri dhe Bosnjë, gjatë
të cilit do të flitet pikërisht për çështjen e Kosovës.
Kriza energjitike
në Shqipëri ka bërë që ministri i Energjitikës, Genc Ruli të mbështesë idenë e
kryeministrit Berisha për ndërtimin e një centrali bërthamor. Sipas Rulit, burimet
hidrike të Shqipërisë nuk mjaftojnë për një zgjidhje afatgjatë të problemit. Prandaj,
duke mos lënë mënjanë shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme si era dhe dielli, duhen
kthyer sytë nga energjia bërthamore. Fatkeqësisht, Bashkimi Evropian nuk e konsideron
akoma Shqipërinë të sigurtë për zbatimin e teknologjive bërthamore. Nga ana tjetër,
fizikanët më të mirë, që janë specializuar për këtë, në perspektivën e ardhjes së
një centrali të vogël për qëllime studimore në Shqipëri – vepër që nuk u realizua
ndonjëherë, për shkak të mangësive të qeverisë shqiptare të pas-komunizmit – janë
jashtë shtetit.