2007-11-12 18:19:54

Vdekja e ringjallja në Shkrimin Shenjt.


(12.11.2007 RV)Eshtën të shpulpuem
(Prej Librit të Ezekielit profetë: 37, 1-14)
Në ato dit dora e Zotit kje mbi mue
e Zoti më rrëmbei në shpirtë
e më lëshoi në një fushë, e cila ishte plot me eshtën:
më bâni të kalojshem rreth e përqark tyne.
Pava se ishin me shumicë të madhe gjatë luginës
e të gjithë ishin eshtën të shpulpuem.
Më tha: “O i biri i njeriut, a munden këta eshtën me marrë jetë?”.
E unë përgjegja: “Zot, Perendí, ti e din!”.
Ai ma kthei:
“Profetizo mbi këta eshtën e thueju atyne:
o eshtën të shpulpuem, ndigjonie fjalën e Zotit!
Kështu ju thotë Zoti Perendí,
shih: qe se unë po ju ap frymëmarrjen e keni me kthye në jetë.
Kam me endë mbi jú dej
e rreth jush kam me bâ të rritet mishi,
mbi jú kam me shtri lëkurën
e në jú kam me dikue frymën
e ju keni me kthye rishtas në jetë;
keni me kuptue se unë jam Zoti”.
Unë profetizova ashtu si më kishte urdhnue;
ndërsá unë profetizojshem,
qe se ndjeva një krizëm
e pava një lëvizje ndër eshtën,
të cilët iu afrojshin njëni-tjetrit, secili ashtit përgjegjës.
Shikjova, e qe se mbi ta u shtrinë dejt e mishi e i veshi lëkura,
por ndër ta endè s’kishte shpirtë.
E ai më tha:
“Profetizo mbi shpirtë, profetizo, o i biri i njeriut,
e kumtoj shpirtit: Kështu thotë Zoti Perendí:
o Shpirtë, eja prej katër erëve të botës
e fryj mbi këta të dekun, që kështu të kthejnë në jetë”.
Unë profetizova ashtu si më kje urdhnue
e shpirti hyni në ta
e u kthyen në jetë
e u çuen në kambë;
ishin një ushtrí e madhe, e panumër.
E ai më tha:
“O i biri i njeriut, këta eshtën janë tanë shtëpia e Izraelit.
Qe, ata shkojnë tue thanë:
eshtënt tonë janë të shpulpuem,
shpresa jonë asht zhdukë,
tashma na kemi mbarue.
Për ketë arsye profetizo e kumtoju atyne:
Kështu thotë Zoti Perendí:
qe se unë po i çili vorret tueja,
po ju ngjalli prej rrëmajve tuej,
o populli em, e po ju çoj rishtas në tokë të Izraelit.
Keni për të më njohtë se unë jam Zoti,
kur kam për të hapë muranat tueja
e kam për t’ju ngjallë prej vorreve tueja, o populli em.
Kam me bâ të hyjë mbrenda jush fryma eme
e ju keni me marrë jetë.
Kam për t’ju bâ të pushoni në vendin tuej:
keni me kuptue atëbotë se unë jam Zoti. Kështu ju kam premtue dhe kështu do të veproj”.


Nga Bibla e plotë e Atë Daniel Gjeçajt, përkthyer në dialektin gegë







All the contents on this site are copyrighted ©.