2007-11-12 18:25:17

Tension në Liban pas shtyrjes së re të zgjedhjes së presidentit


(12.11.2007 RV)RealAudioMP3 Nuk gjen zgjidhje në Liban kriza politike që deri tani ka penguar zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Mbledhja e parlamentit, e cila duhej të emëronte pasardhësin e Emil Lahudit, u shty sërish më 21 nëntor. Lëvizja shiite libaneze Hezbollah, e mbështetur nga Siria dhe Irani, ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Për gjendjen në Liban foli dje edhe Papa Benedikti XVI, siç e dëgjuat nga lajmet tona. Fjalët e Atit të Shenjtë kanë pasur një jehonë të madhe në Liban, ku po zhvillohet Asambleja e 41-të e Përgjithshme e Patrikëve dhe Ipeshkvijve katolikë. Të dëgjojmë meshtarin libanez, atë Zhan El Hashem, përgjegjës për zyrën shkollore të Urdhërit të Maronitëve të shën Marisë së Virgjër:
Pa tjetër ky shqetësim i Papës shihet me sy të mirë, shpreh një ndjenjë atërore të Papës dhe libanezët kanë shumë nevojë për mbështetjen që Benedikti XVI shpreh nëpërmjet fjalëve të tij. Nga ndërhyrjet e Papës, kjo konsiderohet si më e fuqishmja që nga fillimi i papnisë.
Përpjekja e fundit për zgjedhjen e presidentit u bë në një klimë tensioni për shkak të atentateve. Si e përjetojnë njerëzit këtë situatë?
Janë shumë të shqetësuar, kanë frikë. Mëse 40 deputetë jetojnë si në një burg. Jemi gjithnjë të shqetësuar se mos kthehet dhuna, njerëzit jetojnë në një klimë të trishtuar e shumë thonë se e vetmja rrugë shpëtimi është emigracioni. Ky shqetësim konfirmohet sot në temën e Asamblesë së Patrikëve dhe Ipeshkvijve katolikë të Libanit, mbi praninë e krishterë në Lindjen e Mesme. Shqetësimi ynë më i madh është se mos shpërthen një konflikt i brendshëm ndërmjet sunitëve dhe shiitëve.

Edhe shoqata “Ndihmë për Kishën që vuan” kërkon “informacion dhe ndihmë konkrete” për të krishterët në Lindjen e Mesme. Shoqata fillon një fushatë në favor të “bashkësive të lashta të krishtera të epokës apostolike”, të cilat gjatë viteve të fundit janë zvogëluar në numër si në Tokën Shenjte, ashtu edhe në Liban, Irak, Siri, Jordani dhe Turqi. Është një humbje edhe për botën islamike, thekson “Ndihmë për Kishën që vuan”, pasi myslimanët humbasin kështu urën shekullore të lidhjes me Lindjen e me Perëndimin. Islamizmi fondamentalist hyn kudo, duke shkaktuar një klimë tensioni që i detyron të krishterët të largohen. Ata që mbeten kanë nevojë për gjithçka. Pikërisht për këto grupe kërkon ndihmë shoqata, ndihmë që do të shkojë për ndërtimin e mirëmbajtjen e kishave, për seminare e konferenca, për formimin e laikëve e të rregulltarëve, për mbështetjen e mediave të të krishterëve, për impenjimet baritore e për ndihmat ndaj refugjatëve. Mbi gjendjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme do të diskutojë edhe Parlamenti evropian, në mbledhjen e 15 nëntorit.







All the contents on this site are copyrighted ©.