Kardinali Bertone kryesoi në Argjentinë ritin e Lumnimit të indianit mapuke, Zefirino
Namunkurà.
(12.11.2007 RV)“Dëshmia e tij na mëson të jemi bij të Hyjit e vëllezër të të
gjithëve, të jemi besimtarë në tokë, për të arritur kështu në qiell” – këtë theksoi
kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, gjatë kremtimit për lumnimin
e Zefirino Namunkurà, në Çimpai, rreth një mijë kilometra në jug të Buenos Ajres,
ku lindi i lumi në vitin 1886. Kremtimin e ndoqën 200 mijë besimtarë. Të pranishëm
edhe zevendës-presidenti argjentinas, Daniel Shioli, autoritetet vendase dhe më se
njëqind ipeshkvij të Kishës argjentinase e të vendeve të tjera latinoamerikane. “Në
këto vise ai u vu plot mëshirë në shërbim të vëllezërve, duke u bërë përgjigje e Hyjit
për njerëzit e tij” – nënvizoi kardinali Bertone, në sa përmblidhte etapat kryesore
të jetës së indianit të lum salezian, krenar për origjinën e tij mapuke, vdekur nga
tuberkulozi në moshën 18 vjeçare, në vitin 1905, pasi ishte bërë i njohur nga të gjithë
si ‘princi i Patagonisë’. E pikërisht për shkak të origjinës së të Lumit, një pjesë
e kremtimit u mbajt në gjuhën ‘mapudungun’. Kujtojmë se i Lumi i ri, një nga figurat
më popullore të Argjentinës, shumë i dashur sidomos nga të varfërit e edhe lumnimi
i tij – siç nënvizoi edhe kardinali Bertone - tregon se Kisha vlerëson e respekton
thellësisht traditat e popullsisë mapuke. Njëkohësisht figura e të Lumit ndihmon për
zbulimin e fekonditetit të Ungjillit, që nuk i shkatërron kurrë vlerat e vërteta kulturave,
përkundrazi, lajmi ungjillor i pranon këto vlera, i pastron e i përkryen. Këtë e dëshmon
më së miri i lumi i ri.Kujtojmë se është hera e parë që Eukaristia, me ritin e lumnimit,
kremtohet në një qytet të vogël, që dje u bë vërtetë i madh, falë dëshmisë së të Lumit
Zefirin - theksoi kardinali Bertone, i cili të premten e kaluar kremtoi ‘Te Deum,
duke falënderuar Zotin për dhuratën e të Lumit të ri, kremtim që shënoi edhe përfundimin
e Asamblesë plenare të ipeshkvijve argjentinas, të cilëve Hirësia e Tij u përcolli
mesazhin e urimit nga ana e Benediktit XVI.