2007-11-09 18:04:12

Në Pakistan, Benazir Buto në arrest shtëpiak


(09.11.2007 RV)RealAudioMP3 Degjeneron situata në Pakistan. Pikërisht sot, në ditën e manifestimit opozitar në Raualpindi, për të protestuar kundër gjendjes së emergjencës së shpallur nga presidenti Musharraf, një kamikaze u hodh në erë në Islamabad, para shtëpisë së Ministrit për Punët Politike, Amir Muqam, i cili gjithsesi nuk ka pësuar asgjë. Në shpërthim mbetën të vrarë 4 persona të tjerë. Ndërkaq, për të penguar mitingun që do të mbante në qytet, kryetarja e opozitës Benazir Buto është detyruar të qëndrojë në arrest shtëpiak. Në të gjithë vendin nuk lejohet më transmetimi i televizioneve të huaja, të cilave u janë vënë zhurmues. Janë arrestuar 5 mijë aktivistë. Cilat mund të jenë pasojat politike të kësaj gjendjeje? Në mikrofonin tonë, Alberto Negri, i dërguari i veçantë i gazetës italiane “Sole 24 ore”, i sapo kthyer nga Pakistani:
Do të thosha se arresti shtëpiak për Benazir Buton dhe shtrëngimi i darës rreth opozitës laike e bëjnë krizën më të rëndë, por sidomos, janë një “dhuratë” për lëvizjet integraliste islamike dhe për guerrilasit filo-talebanë, gjë që është e rrezikshme si për vetë Pakistanin, ashtu edhe për perëndimin në përgjithësi. Guerrilasit dhe lëvizjet fondamentaliste do të përfitojnë nga kjo situatë dobësie të pushtetit qendror për të avancuar si nga pikpamja ushtarake, ashtu edhe nga ajo e propagandës. Kjo mund të çojë në rritjen e operacioneve nga ana e tyre, e si rrjedhojë do të përfshihen edhe forcat ndërkombëtare e amerikane që ndodhen në Afganistan. Duke e konsideruar gjendjen në perspektivë, Pakistani mund të errësojë edhe çështjen iraniane.
Priten vetëm atentate, apo sipas jush, aksionet e guerrilasve mund të bëhën edhe më të rrezikshme?
Mendoj se aksioni i guerrilasve është shfaqur që tani si shumë i rëndë. Lugina e Suatit është një nga zonat fisnore, ku guerrilasit janë praktikisht zot të rajonit, transmetojnë nëpërmjet radiove lokale dhe i kanë përjashtuar forcat qeveritare nga terreni. Në Vaziristan, që është pa dyshim një nga pikat më të nxehta, guerrilasit pakistanezë filo-talebanë kanë përforcuar pozicionet. Pra, gjendja është që tani shumë e rëndë e ky dobësim i përgjithshëm i strukturave demokratike institucionale të Pakistanit s’bën tjetër veçse e thellon edhe më tej krizën.







All the contents on this site are copyrighted ©.