2007-11-09 17:58:34

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e kardinalit japonez Stefen Fumio Hamao.


(09.11.2007 RV)Kardinali japonez Stefen Fumio Hamao, kryetar nderi i Këshillit Papnor për baritorinë e emigrantëve dhe endacakëve, 77 vjeç, vuante prej kohe nga një tumor, që i shkaktoi edhe vdekjen. Salikimet do të kremtohen të hënën, më 12 nëntor, në Jokohama.
Papa Benedikti XVI, përmes një telegrami drejtuar familjarëve, shprehu hidhërimin e tij të thellë për humbjen e kardinalit Hamao, por edhe mirënjohjen për veprimtarinë e devoçme të Hirësisë së Tij në shërbim të Ungjillit, të të varfërve e të Kishës Universale. Ia besoj mëshirës hyjnore – shton Ati i Shenjtë - shpirtin e këtij biri, me të cilin krenohet edhe popullit japonez.
Ngushëllime për vdekjen e kardinalit shprehu edhe ambasada japoneze pranë Selisë së Shenjtë. Kardinali Hamao – lexohet në një komunikatë – punoi me zell të madh në favor të emigrantëve, duke dhënë kontributin e tij të çmuar në këtë fushë kaq të rëndësishme për gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Mbetet domethënës- lexohet akoma në komunikatë - kontributi i tij në marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë e Japonisë.
I lindur në Tokio, kardinali Hamao u diplomua Drejtësi Kanonike pranë Universitetit Gregorian në Romë. U shugurua meshtar në moshën 27 vjeçare e më pas u bë ipeshkëv ndihmës i Tokios e i Jokohamës. Më 1995 ishte Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Japonisë; më 1998 Gjon Pali II e emëroi kryetar i Këshillit Papnor për emigrantët dhe endacakët, ndërsa më 2003 e krijoi kardinal.Emri i kardinalit të ndjerë nuk është i panjohur për shqiptarët: ai jo vetëm dha një ndihmesë të shquar për një vend emigrantësh si Shqipëria, por edhe e vizitoi vendin tonë, për të njohur nga afër shkaqet që vijojnë t’i shtyjnë njerëzit ta braktisin në kërkim të një jete më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.