2007-11-09 17:48:52

Benedikti XVI universitarëve katolikë të FUCI: “Kërkimi i dijes nuk është në kundërshtim me fenë”.


(09.11.2007 RV)RealAudioMP3 “Studimi është mundësi providenciale për të përparuar në rrugën e fesë; i krijon mendjes së njeriut mundësitë t’i hapë rrugën misterit të Hyjit e, prej këndej, t’ia mbyllë sjelljeve trullosëse, që kanë vulën e arrogancës e të dhunës. Me këto fjalë Benedikti XVI i priti sot në audiencë 120 përfaqësuesit e Federatës së Universitarëve Katolikë Italianë (FUCI), që sivjet kremton 110-vjetorin e themelimit.
“T’i besosh studimit” - kjo frazë, që tingëllon si parullë, vlen shumë më tepër sesa duket. Bashkon dy fusha, që shpesh konsiderohen në kontrast njëra me tjetrën, por që Benedikti XVI, qysh në fillim të papnisë së tij, u përpoq e përpiqet t’i pajtojë: fenë e kërkimin e dijes. Papa mendon se nuk duhet hequr dorë nga kërkimi i së vërtetës për shkak të fesë, ashtu siç nuk duhet hequr dorë nga feja, në përpjekjen për të kërkuar lirisht të vërtetën. E Federata e Universitarëve Katolikë Italianë (FUCI) ecën që prej 110 vjetësh në këtë rrugë, ku takohen e vërteta e fesë me atë të kërkimit shkencor. Gjatë këtyre viteve – kujtoi Papa - Federata ka formuar brezni të tëra të krishterësh shembullorë. Ndërmjet tyre spikasin të Lumët PierGjorgjio Frasati e Alberto Marveli, dy viktimat e terrorizmit: burri i shtetit Aldo Moro e profesor Vitorio Bashelet e edhe një papë: Pali VI.Pikërisht në fushën e transmetimit të dijes – vijoi Benedikti XVI – Federata mund ta shprehë plotësisht edhe sot karizmën e vet, sa të lashtë, aq edhe aktuale:
“Domethënë, të japë me bindje dëshminë e miqësisë së mundshme ndërmjet arsyes e fesë, gjë që kërkon përpjekje të vazhdueshme për të bërë që pjekuria në fe të përkojë me zhvillimin, i cili arrihet përmes studimit dhe fitimit të dijeve shkencore (….) E pse u dashka të mendojmë se kush ka fenë, duhet të heqë dorë nga kërkimi i lirë i së vërtetës, e kush kërkon lirisht të vërtetën, duhet të heqë dorë nga feja? Ndërsa është plotësisht e mundur që, gjatë studimeve universitare e në sajë të tyre, të arrihet pjekuria e vërtetë njerëzore, shkencore e shpirtërore?”.
Studimi është njëkohësisht edhe mundësi providenciale për të ecur përpara në rrugën e fesë, sepse kultura e nxit njeriun ta hapë zemrën, për të dëgjuar zërin e Zotit, e shpëton nga rreziku i mendjemadhësisë dhe e ndihmon të kuptojë përmasën e mbinatyrshme.
“Edhe sot, ashtu si në të kaluarën, kush dëshiron të jetë dishepull i Krishtit, duhet të shkojë kundë rrymës, të mos joshet nga thirrjet që vijnë nga katedra të ndryshme, prej nga propagandohen sjellje që kanë vulën e arrogancës e të dhunës, të prepotencës e të arritjes së suksesit me çdo lloj mjeti. Në shoqërinë e sotme vërehet një rendje e shfrenuar, jo për të qenë, por për t’u dukur e për të pasur, prandaj Kisha, mësuese e humanitetit, nuk lodhet s’i nxituri, posaçërisht breznitë e reja, të cilave ju i përkisni, që të rrinë syhapur e të mos kenë frikë të zgjedhin rrugë të tjera, që vetëm Krishti di t’i tregojë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.