2007-11-07 18:21:38

Rusia tërhiqet nga traktati për kufizimin e armëve konvencionale në Evropë.


(07.11.07 RV)Duma, Dhoma e ulët e parlamentit rus, miratoi sot me unanimitet vendimin, që parashikon mosrespektimin e traktatit, duke filluar nga 12 dhjetori. Ky vendim qe miratuar më parë nga Senati e nga presidenti rus Vladimir Putin. Moska e justifikoi tërheqjen e vet me mungesën e reformimit të traktatit nga ana e vendeve të NATO-s, reformë, që sipas Rusisë, duhej të pasqyronte ekuilibrin e ri ushtarak, krijuar vitet e fundit në Evropë. Për një koment, të dëgjojmë Fulvio Skalionen, zv.drejtor i revistës kishtare italiane “Familja e Krishterë”:
RealAudioMP3 Mendoj se ky vendim mund të lexohet në nivele të ndryshme. I pari, më i qarti, por edhe më i thjeshti, është se në Rusi jemi në një klimë parazgjedhore. Në dhjetor do të votohet për rinovimin e Dumës e në mars për presidentin e ri. Në horizont mbetet figura e Vladimir Putin, i cili do të vazhdojë të dominojë politikën ruse. Prandaj, Putin është shumë i interesuar të tregohet i vendosur në politikën e tij për të rizgjuar krenarinë kombëtare ruse. Më pas kemi edhe një skenar më të gjerë. Pas rënies së murit të Berlinit, shumë mendonin se e vetmja superfuqi e mbetur ishin SHBA-të. Realiteti tregoi se kjo nuk është e vërtetë. SHBA-të janë pa dyshim e vetmja superfuqi e vërtetë që ka mbetur, por ka shumë vende të rëndësishme si Kina, India, vetë Rusia, Venezuela e Çavezit, Irani i Ahmadinexhadit që nuk duan të qëndrojnë në kufijtë e vendosur nga amerikanët dhe rebelohen. Në veçanti, Rusia rebelohet kundër mbrojtjes me raketa, që do të instalohet pikërisht në kufijtë e saj.
Ky vendim a nuk rrezikon të kompromentojë edhe më shumë marrëdhëniet diplomatike me Uashingtonin?
Sigurisht, rritet niveli i konfrontimit, por nuk besoj se në nivelin diplomatik marrëdhëniet mund të jenë më të kompromentuara se kaq. Duke përjashtuar skenarë të çmendur si luftrat e kështu me radhë, prej vitesh Moska dhe Uashingtoni janë rivalë në çdo fushë. Ky vendim, për shembull, më duket shumë më pak i rëndësishëm se aktiviteti që kanë realizuar SHBA-të, duke përvijuar naftësjellësin e madh që ndan përgjysëm Kaukazin dhe shkon nga Azerbajxhani në Turqi, duke kaluar nga Gjeorgjia. Nga pikpamja gjeo-strategjike, në këndvështrimin e politikave konkrete, ai akt i SHBA-ve ishte shumë më i rëndësishëm dhe më efikas se ky vendim i presidentit Putin.







All the contents on this site are copyrighted ©.