2007-11-07 16:21:33

Propozimet e ipeshkvijve të Evropës, në një dokument drejtuar Bashkimit Evropian për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të familjeve.


(08.11.2007 RV)Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian (COMECE) paraqiti këto ditë në Bruksel, dokumentin me titull: “Propozime për strategjinë e Bashkimit Evropian në favor të çifteve e të familjeve”. Teksti nuk synon të vërë në diskutim marrëveshjen aktuale mbi kompetencat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me çështjen e së drejtës së familjes e të politikave familjare. Dokumenti ka për qëllim të nxisë diskutimin mbi përpjekjet që mund të bëjnë institucionet komunitare në kuadrin e kompetencave të tyre. Mbi propozimet që përmbahen në dokument për të ndihmuar çiftet e martuara dhe prindërit në kryerjen e detyrave të tyre edukative, të dëgjojmë këshilltarin ligjor të Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian Alesando Kalkanjo, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Patëm parasysh se Bashkimi Evropian nuk gëzon një komptencë të mirëfilltë përsa i takon familjes e, prandaj, bëmë një sërë propozimesh të ndryshme, siç është për shembull mbështetja e prindërve lidhur me rreziqet që mund të vijnë nga përdorimi i internetit ose i celularëve nga të miturit. Bëmë propozime edhe për ndikimin që ka mbi fëmijët përdorimi i lojrave-pamore (videogames), në të cilat vërehet shumë mizori e dhunë, nga që mendojmë se Bashkimi Evropian nuk është përpjekur sa duhet në këtë drejtim. Por shprehim edhe mendimin se duhet bërë më shumë në luftën kundër varfërisë, që peshon rëndë mbi të miturit, ashtu si kërkojmë edhe bashkimin e familjeve të emigrantëve, temë kjo shumë e dashur për Atin e Shenjtë. Pastaj theksojmë problemin e sigurisë, nismë kjo e Komisionit Evropian, që do të shqyrtojë edhe mundësitë për një përkim më të thellë të jetës në punë me atë në familje.

Pyetje: - Ç’propozime bëjnë, në këtë Dokument, ipeshkvijtë evropianë lidhur me mbrojtjen e familjes?

Përgjigje: - Jemi përpjekur për ta pasur parasysh edhe këtë aspekt, duke nënvizuar së pari faktin se Kisha e konsideron martesën ndërmjet burrit e gruas si sakrament dashurie e prandaj mbështet, inkurajon e promovon familjen e themeluar mbi martesën, si rrugëzgjidhje ideale për sigurimin e një familjeje të shëndoshë e të qëndrueshme. Një familje e tillë u siguron edhe fëmijëve baza të shëndosha për ndërtimin e së ardhmes së tyre, dmth siguron bazën e shëndoshë për ndërtimin e vetë Evropës, që varet plotësisht nga breznitë e reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.