2007-11-07 18:17:53

Kryeministri i Kosovës në Itali. Takohet me D'Alemën.


(07.11.07 RV)Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ndodhej sot në Romë, ku është takuar me Ministrin e jashtëm italian, Masimo D’Alema. Menjëherë pas takimit serbo-kosovar në Vjenë, Çeku vjen në Itali në kuadrin e krijimit të konsensusit për njohjen eventuale të pavarësisë së njëanshme të Kosovës. Pikërisht sot, D’Alema foli për çështjen kosovare me senatorin Françesko Kosiga. Ky i fundit deklaroi se çështja kryesore për Romën, është se ç’do të bëhet me kontingjentin italian të KFOR-it në rast se Prishtina shpall pavarësinë e serbët reagojnë.
Ndërkaq, dje, Agim Çeku u shpreh me tone pesimiste për një marrëveshje të mundshme mbi statusin, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”. Serbia flet për të shkuarën, deklaron ai, duke sqaruar se e vetmja gjë që i ka kërkuar tani Beogradit është “që të merremi vesh për të mos qenë dakord mbi statusin”. Qëllimi i Prishtinës, sipas Çekut, është shpallja e pavarësisë brenda vitit.
Nga ana tjetër, ndërsa kryeministri i Kosovës ndodhet në Romë, ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç u takua në Berlin me homologun gjerman, Valter Shtajnmajer. Sipas këtij të fundit, koha për të gjetur një zgjidhje të negociuar për statusin e Kosovës po përfundon. Jeremiç premtoi se Beogradi do të bëjë ç’është e mundur për të arritur në një përfundim të kënaqshëm të bisedimeve deri më 10 dhjetor.

Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin dhe të kryejë reformën në drejtësi. Është ky qëndrimi i presidentit të Parlamentit Europian, Hans-Gert Pëtering, i cili u takua sot në Bruksel me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Gjithashtu, Pëtering shprehu mbështetjen e parlamentit për integrimin e Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Evropian dhe u shpreh për zgjidhje paqësore të problemeve në rajonin e Ballkanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.