2007-11-06 17:30:28

Serbia nënshkruan nesër Marrëveshjen e Asoccim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian


(06.11.2007 RV)Pasi Serbia luajti dje në Vjenë kartën e modelit të Hongkongut dhe pasi kosovarët e hodhën poshtë propozimin, raundi i pestë i bisedimeve për statusin e Kosovës do të mbahet më 20 nëntor në Bruksel.
14 pikat e paraqitura nga Treshja e negociatorëve u kundërshtuan fuqimisht nga Beogradi, pasi ato çojnë drejt pavarësisë së Kosovës, sipas delegacionit serb. Ndërkaq, sot, pasi mori miratimin e kryeprokurores së Gjykatës së Hagës Karla del Ponte, komisari evropian për zgjerimin, Olli Ren deklaroi se nesër do të nënshkruhet në Bruksel, Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit me Serbinë. Është hapi i parë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, pavarësisht se Beogradi ka deklaruar mëse një herë se nuk ka ndërmend ta shkëmbejë Kosovën me Evropën.


Në raportin që paraqiti për Ballkanin, komisari evropian Olli Ren vuri në dukje të metat e meritat e rrugës për integrim të nisur edhe nga shtetet e tjera të rajonit. Sipas tij, Shqipëria duhet të forcojë dialogun ndërmjet partive politike dhe të luftojë korrupsionin. Ajo që i njihet Tiranës si meritë, është “një farë përparimi në vendosjen e demokracisë dhe të shtetit ligjor”.
Rehn foli shumë mirë për Kroacinë, e cila duhet të shërbejë si shembull për të gjitha vendet e Ballkanit. Kritikat më të mëdha ia drejtoi Maqedonisë. Sipas Rehn, “kriza mes partive në vend i ka ndaluar reformat”.
Ndërkaq, sot, gjatë takimit me presidentin slloven, vendi i të cilit merr presidencën e Bashkimit Evropian në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, kryetari i Komisionit Evropian, Zhosè Manuel Barrozo deklaroi se Brukseli duhet te jetë i vendosur, por i drejtë përsa i përket integrimit të vendeve të Ballkanit perëndimor. Mrrëdhëniet e sotme me Evropën janë “kritike” vuri në dukje slloveni Jansez Jansa.







All the contents on this site are copyrighted ©.