2007-11-06 17:45:07

Papa: “Shkenca të jetë gjithnjë në shërbim të dinjitetit të njeriut”.


 (06.11.2007 RV)RealAudioMP3 Në ndjetin e përgjithshëm të uratës për muajin nëntor, Papa u kërkon besimtarëve të luten për njerëzit që i kushtohen kërkimit shkencor në fushën e mjekësisë si dhe për ata që merren me veprimtari ligjore, me qëllim që të thellohet gjithnjë më shumë respekti për jetën njerëzore nga zanafilla e saj e deri në përfundimin e natyrshëm. E pikërisht mbrojtjes së njeriut e të dinjitetit të tij, Ati i Shenjtë i kushton shumë fjalime magjisteriale:
Shkenca nuk duhet të përdoret kurrë kundër jetës dhe dinjitetit të njeriut, por gjithnjë në shërbim të tyre. Benedikti XVI e kujton pacenueshmërinë e këtij parimi që në fillimet e papnisë së tij. Mbrojtja e jetës nuk është interes katolik, por shërbim që i bëhet njeriut - thekson me forcë Papa, duke folur në Takimin e Kishës Katolike Italiane, më 30 maj 2005, ndërsa në Itali ishte ndezur diskutimi rreth ligjit 40 mbi lindjen e asistuar.
“Këtu nuk punojmë për interesa katolike, por gjithnjë për njeriun, krijesën e Zotit”.
Kisha nuk është armike e shkencës – ripohon Ati i Shenjtë dhe, duke i folur ambasadorit britanik më 23 dhjetor 2005, i tërheq vemendjen mbi problemet etike që lindin gjatë progresit shkencor e teknologjik, posaçërisht në fushën kërkimore mjekësore. Më 27 shkurt 2006, pastaj, duke pritur në audiencë anëtarët e Akademisë Papnore për Jetën, Benedikti XVI kujton se “Zoti nuk bën dallim ndërmjet jetës që ka dalë në dritë e asaj që nuk ka lindur endè, sepse që të dyja mbajnë në vetvete shenjën e atësisë së tij, mendim që Kisha e ka mbrojtur gjithnjë”.
“Jeta njerëzore dhe ligjet që e sundojnë janë një mister në të cilin inteligjenca njerëzore mund të depërtojë deri në një farë pike. Përtej këtij pragu nis ‘aventura e së mbinatyrshmes’, që gjen përgjigje tek besimi në Zotin e tek Shkrimi Shenjt, në faqet e të cilit është shkruar gjithë dashuria e Zotit për çdo qenie njerëzore, shumë kohë përpara se të marrë trajtë në kraharorin e nënës”. Duke u folur punonjësve shkencorë dhe studiuesve të gjenetikës, Benedikti XVI nënvizon lidhjen ndërmjet kërkimit shkencor dhe reflektimit etik. Bëhet fjalë – reflekton Papa – për një argument mahnitës e njëkohësisht, të vështirë dhe impenjativ, për të cilin as Shkrimi Shenjt e as Tradita e krishterë nuk mund të përmbajnë shtjellime të qarta. Megjithatë – vëren më pas:
“Magjisteri i Kishës ka shpallur vazhdimisht karakterin e shenjtë e të padhunueshëm të çdo jete njerëzore, që nga zënia e deri në fundin e saj të natyrshëm. Ky gjykim moral vlen që në fillimet e jetës së një embrioni, që para se të zërë vend në kraharorin e nënës, e cila do ta ruajë e do ta ushqejë për nëntë muaj, deri në çastin kur do të dalë në dritë: Jeta njerëzore është e shenjtë dhe e padhunueshme në çdo çast të ekzistencës së saj, edhe në çastin fillestar, që i paraprin lindjes”.
Njeriu, i krijuar sipas planit të Zotit, nuk mund të shndërrohet kurrë në mjet. Papa merret me çështjen antropologjike gjatë një fjalimi, mbajtur më 1 prill 2006, në audiencën me përfaqësuesit e Kongregatës për Edukimin Katolik:
“Duhet theksuar me forcë se njeriu nuk mund e nuk duhet flijuar kurrë për sukseset e shkencës e të teknikës: ja pse riduket me gjithë rëndësinë e vet, e ashtuquajtura çështje antropologjike të cilën ne, trashëgimtarët e një tradite humanistike, themeluar mbi vlerat e krishtera, duhet ta përballojmë në dritën e parimeve frymëzuese të qytetërimit tonë”.
Benedikti XVI ndalohet përsëri tek vlera e vërtetë e progresit shkencor në audiencën me Akademinë Papnore të Shkencave, më 6 nëntorin e kaluar:
"Njeriu – kujton Papa - nuk mund të ketë një besim kaq rrënjësor e të pakushtëzuar në shkencën dhe në teknikën, sa të besojë se progresi shkencor e teknologjik mund të shpjegojë gjithçka e t’i realizojë plotësisht nevojat e tij shpirtërore e jetësore. Shkenca nuk mund t’u japë përgjigje shterruese pyetjeve më bazale të njeriut mbi kuptimin e jetës e të vdekjes, mbi vlerat e fundit e mbi vetë natyrën e progresit".
Mbi temën e kërkimeve shkencore Papa reflekton edhe në fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë më 8 janar të vitit në vijim, duke nënvizuar rreziqet që lindin nga zhvillimi i një shkence që nuk njeh rregulla:
“Format e sulmit kundër jetës – pohon Papa – nganjëherë marrin pamjen e kërkimit shkencor. Shikohet kështu si diçka normale aborti, relativizimi i familjes së themeluar mbi martesën dhe prirja për ligjërimin e klonimit njerëzor, me pretekstin e zhvillimit shkencor, që kërkon të imponojë vetëm ligjet e veta”.
Së fundi, duke u folur farmacistëve katolikë, të hënën më 29 tetorin e kaluar, Benedikti XVI ngre përsëri zërin në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, sidomos të të sëmurit:
“Asnjë njeri – pohon Papa - nuk mund të përdoret si objekt për realizimin e eksperimenteve terapeutike; ato duhen bërë sipas protokolleve që respektojnë normat etike themelore, gjithnjë në perspektivë të mirëqenies së njeriut e jo thjeshtë të progresit shkencor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.