Cështja Sollaku në tryezën e presidentit të Shqipërisë
(06.11.2007 RV)Parlamenti i Shqipërisë i propozoi zyrtarisht Presidentit të
Republikës shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Me 77 vota
pro, 36 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi miratoi dje raportin e komisionit hetimor
të hartuar nga përfaqësuesit e maxhorancës, i cili kërkonte largimin e kryeprokurorit
nga detyra, me argumentin e shkeljeve të rënda ligjore gjatë ushtrimit të këtij funksioni.
Presidenti Topi do të vendosë në mënyrë përfundimtare nëse kryeprokurori do të shkarkohet.
Sollaku ka premtuar ta ndjekë akoma çështjen me mjetet që i ofron ligji.
Raporti
i lëvizjes “Mjaft” mbi shëndetin e politikës shqiptare ka gjetur vend sot në faqet
e shtypit shqiptar. Sipas lëvizjes, e cila ka monitoruar Kuvendin në periudhën
janar-korrik 2007, deputetët shqiptarë shpenzojnë më shumë se sa homologët e tyre
në vendet evropiane me një stad zhvillimi ekonomik shumë herë më të lartë. Shumica
e këtyre shpenzimeve shkojnë për transportin, pasi çdo deputet ka në dispozicion një
automjet, përkundër vendeve si Franca, Gjermania apo Norvegjia, ku deputetëve nuk
u sigurohet automjet, por u vihet në dispozicion një numër i kufizuar makinash. Ata
duhet të planifikojnë udhëtimet, të cilat mund të kryhen vetëm brenda kryeqyteteve
dhe vetëm për çështje legjislative. Sipas raportit, shpenzimet operative të buxhetit
të Kuvendit të Shqipërisë përbëjnë gati gjysmën e buxhetit të përgjithshëm. E më pas,
lëvizja rreshton emrat e deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në seancat e Kuvendit.
Në krye të listës konfirmohet Fatos Nano. Opozitës gjithashtu, i takon primati negativ
i mosbërjes së asnjë propozimi për ligj gjatë periudhës së marrë në shqyrtim.