2007-11-05 17:19:50

Papa në Meshën për shpirt të kardinajve e ipeshkvijve vdekur gjatë vitit: ‘Miq të Jezusit, gëzojnë në qiell një pasuri që nuk kalbet kurrë’.


(05.11.2007 RV)RealAudioMP3 Qenë miq të Jezusit në jetën tokësore, tani janë në dashurinë e amshuar të Hyjit në qiell. Këtë theksoi Benedikti XVI në bazilikën e Vatikanit duke kryesuar Meshën, kremtuar sot paradite për shpirt të kardinajve e të ipeshkvijve që ndërruan jetë gjatë vitit të kaluar. Si kujtoi me dashuri vëllazërore emrat e tetë kardinajve të vdekur, Ati i Shenjtë nënvizoi se lutja për shpirt të të vdekurve në Kishë, mbështetet mbi lutjen e Jezusit, që thotë: “O Atë, dua që ata, të cilët m’i dhe, të jenë aty ku jam unë, bashkë me mua” (Gjn. 17, 24). “Ata të cilët m’i dhe!”: është një përkufizim i bukur i të krishterit, pohoi Papa:
"Janë njerëz që Ati ia dha Krishtit. I hoqi nga bota, nga kjo botë, që nuk e njohu, e i thirri të bëhen miq të Jezusit. Ky ishte hiri më i çmuar i tërë jetës së tyre. Ishin, sigurisht, njerëz të ndryshëm, si për ngjarjet personale, ashtu edhe për shërbimin që kryen: por të gjithë patën të përbashkët gjënë më të çmuar: miqësinë me Zotin Jezus. Jezusi ishte shorti i tyre mbi tokë, si meshtarë, e tani, përtej kufijve të vdekjes, ndajnë bashkë në qiell trashëgimin e pashkatërrueshëm, të panjollë, të pakalbshëm” (Pt, 1,4).
Është një shpresë që na ngushëllon, kur kujtojmë të vdekurit e lutemi për shpirtin e tyre – tha Papa- i cili më pas citoi Psalmin 42: “Përse, o shpirti im lëngon në trishtim? Përse gjëmon në mua? Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, Shëlbuesin tim, Hyjin tim!”.
“Si meshtarë – tha në përfundim Ati i Shenjtë – i duruan të gjitha provat e jetës, edhe akuzat e talljet e atyre, që nuk ngurrojnë t’i thonë besimtarit në provë: “Ku është Hyji yt?”. Tani, në përfundim të mërgimit të tyre tokësor, arritën më në fund në atdhe. Duke ndjekur rrugën e hapur nga Zoti i tyre i ngjallur, nuk hynë në shenjtëroren e punuar me dorë njeriu, por drejt në qiell e, së bashku me të Lumen Mari gjithmonë Virgjër e me të gjithë shenjtorët, mund të kundrojnë, më në fund – e për këtë lutemi – fytyrën e Hyjit e të këndojnë në amshim lavdet e tij. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.