2007-11-05 18:20:24

Kosovë: Serbia propozon modelin e Hong Kongut për statusin. Në vend vazhdon fushata zgjedhore


(05.11.2007 RV)U zhvillua sot në Vienë, takimi për statusin e Kosovës ndërmjet delegacioneve serbe e kosovare, me ndërmjetësimin e Treshes së negociatorëve amerikano-ruso-evropian.
Nga ana e kosovarëve u theksua se negociatat mbi 14 pikat e propozuara nga Treshja mund të vazhdojnë deri më 10 dhjetor, afati i fundit i dhënë nga OKB-ja. Më pas Prishtina, sipas kryeministrit Agim Çeku që foli me gazetarët, do të shpallë pavarësinë. “Nuk e kemi më të drejtën morale për të kërkuar kohë tjetër edhe nëse këtë na e kërkon Uashingtoni” – shpjegoi Çeku. Kosovarët janë gati të presin nëse amerikanët u kërkojnë një shtyrje të vogël kohore pas 10 dhjetorit, por nëse data do të shtyhej shumë më tepër, atëherë Prishtina do të ecë me planin e vet.
Qëndrim diametralisht i kundërt për ministrin e jashtëm serb, Vuk Jeremiç, sipas të cilit bisedimet duhet të vazhdojnë edhe pas 10 dhjetorit. Beogradi po përgatit propozime, të cilat duhen shtruar për diskutim, por koha e kufizuar nuk u jep atyre mundësinë që meritojnë, deklaroi sot Jeremiç. Beogradi propozon modelin e Hong Kongut për statusin e Kosovës, pra “një shtet me dy sisteme”, ashtu si Kina me Hong Kongun, që është kthyer nën sovranitetin e Pekinit më 1999. Serbët kanë kritikuar thelbin e 14 pikave të paraqitura nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. Ata duan që të refuzohet me shkrim shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe bisedimet të vazhdojnë mbi bazën e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, miratuar në vitin 1999.
Të dyja delegacionet e kryesuara nga presidentët përkatës u takuan më parë veç e veç me ndërmjetësuesit e më pas në një asamble plenare të përbashkët. Treshja është treguar e gatshme të pranojë çdo marrëveshje për të cilën do të bien dakord palët.


Ndërkaq, në Kosovë vazhdon fushata zgjedhore. Deri në ditën e votimit, më 17 nëntor, partitë do të vazhdojnë garën e premtimeve, shpesh të parealizueshme e të paarritshme, e cila ka filluar tashmë. Na njofton Rabije Ibraj nga Prishtina RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.