2007-11-03 15:39:10

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(04.11.2007 RV)Sot, e Diela XXXI e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, u përkujtuan edhe Shën Karl Borromeo, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe Shenjtorët Vitali e Agrikola, martirë bolonjezë.

Të hënën do të kremtohen Shenjtorët Domnini, Teotini me shokët martirë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin.

‘Jepi, o Zot shëbëtorit tënd një zemër të përvujtë’: ta përsërisim këtë lutje së bashku me Shën Leonardin vetmitar, që do të kremtohet të martën.

Shën Ernesti, të cilin Kisha do ta kremtojë të mërkurën, na kujton se Zoti e bekon njeriun, që i do e i ndihmon me gjithë zemër vëllezërit, edhe pse i duhet të mbartë çdo ditë mbi supe kryqin e vet. Si mësuesi, ashtu edhe nxënësi. Kryqi është filli i kuq, që përshkon gjithë jetën tonë, bën pjesë në planin që ka Zoti për ne. Psenë e kësaj barre të rëndë që na vë mbi sype, duhet ta zbulojmë me lutje e reflektim.

Shën Adeodati papë, që do të kremtohet të enjten, na kujton se lumnia e Zotit është njeriu i gjallë.

Kushtimi i Bazilikës romake së Shën Gjonit në Lateran, që do të kremtohet të premten e ardhshme, na fton ta adhurojmë çdo ditë Zotin në banesën e tij të shenjtë, pa harruar se nuk mjaftojnë monumentet e krishtera, as turmat, për të thënë të vërtetën e fesë së krishterë. Duhet ta lavdërojmë Zotin me gjithë jetën tonë.

Shën Leoni i madh, papë e doktor i Kishës dhe Shën Andreu i Avelinit, meshtar teatin, që do të festohen të shtunën e ardhshme, na kujtojnë se gjithçka kemi, mund të bëhet mjet shëlbimi ose pengesë në rrugën tonë drejt mbretërisë qiellore e se dashuria jonë për Zotin duket në gjërat e vogla, të përditshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.