2007-11-02 16:39:53

“Apostull i palodhshëm i dashurisë së krishterë” – vdiq në moshën 82 vjeçare, don Oreste Benzi. Ngushëllimi i Papës.


(02.11.2007 RV)Sot, rreth orës dy të mëngjesit, vdiq papritur nga një goditje në zemër, don Oreste Benzi, meshtari 82 vjeçar romanjol, themelues i Shoqatës ‘Papa Gjoni XXIII’, i cili 35 vjet me radhë ishte në vijën e parë të frontit të veprimtarisë për asistencën e shtresave më të varfra të popullsisë në mbarë botën, me 200 shtëpi-familje e më se 30 bashkësi mjekuese për rikthimin në jetë të të droguarve.
Në një telegram nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, Benedikti XVI shpreh dhimbjen e tij për humbjen e don Benzit, të cilin e kujton si apostull të palodhshëm të dashurisë së krishterë, me një jetë të thellë baritore, shkrirë për njerëzit më të varfër, më të braktisur, më të pambrojtur, e si meshtar që mori mbi vete problemet më të rënda shoqërore, të cilat i hapin plagë të thella botës së sotme. E kujtojmë këtë meshtar të kishës katolike, sepse emri i tij nuk është i panjohur për shqiptarët, sidomos për shumë gra e vajza, edhe të mitura, të flakura pikërisht nga bashkatdhetarët e tyre në rrugën e prostitucionit. E kur kërkuan një vëlla, një mik, një strehë që t’i shkëpuste nga rruga e zvetënimit, nuk e gjetën tek bashkatdhetarët, por tek një meshtar katolik, që u zevendësoi prindërit, vëllezërit e motrat e u doli krah, duke rrezikuar veten, përballë kriminelëve të një gjaku. Madje nuk u mjaftua me kaq: u nis edhe për në Shqipëri, për t’i njohur nga afër shkaqet që i shtyjnë qindra vajza e gra shqiptare të rrezikojnë korp e shpirt, duke bredhur në kërkim të mirazhit të një jete më të mirë rrugëve, ku i pret vdekja. Ky ishte për shqiptarët don Benzi, në shtëpitë e të cilit, edhe tani që nuk është më, gjejnë strehë shumë vajza e gra shqiptare, sepse për fat të keq, flakja e tyre në rrugë vijon!







All the contents on this site are copyrighted ©.