2007-11-02 16:39:42

Sot pasdite, në Kriptën e Vatikanit, Benedikti XVI u lut për papët e vdekur.


(02.11.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, kur Kisha përkujtoi besimtarët e vdekur, Benedikti XVI u lut për papët që e kanë kryer shtegtimin mbi tokë. Në orën 18. 30 Ati i Shenjtë zbrirti në kriptën e Vatikanit, ku janë varrosur paraardhësit e tij e ku mijëra shtegtarë zbresin çdo ditë për t’u lutur, posaçërisht pranë varrit të Gjon Palit II, ku sot u gjunjëzua edhe Benedikti XVI.
Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, mbajtur në Sheshin e Sh Pjetrit, Papa e kujtoi kështu përkujtimin e sotëm të të vdekurve:
Atyre nesër do t’ia kushtojmë posaçërisht lutjen tonë e për ta do të kremtojmë Flijen Eukaristike. Në të vërtetë, Kisha na fton përherë të lutemi për ta, duke ofruar edhe vuajtjet e mundimin e përditshëm, me qëllim që, plotësisht të pastruar, ata të mund të pranohen për të gëzuar në amshim dritën e paqen e Zotit”.
Nuk është hera e parë gjatë dy vjet e gjysëm papnie, që Benedikti XVI i fton besimtarët ta shikojnë enigmën e vdekjes me qetësi e shpresë, duke u ndriçuar nga besimi në ringjalljen.
Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, mbajtur më 15 nëntor 2006, duke u ndaluar tek përkujtimi liturgjik i të vdekurve, Ati i Shenjtë reflektoi për vdekjen të cilën e ashtuquajtura shoqëri e mirëqenies kërkon shpesh herë ta zhdukë nga ndërgjegja e njerëzve, të zënë siç janë me shqetësimet e jetës së përditshme. E Papa kujtoi se, pavarësisht nga kënaqësitë që mund të kërkohen, për të harruar, humbja e njeriut të dashur na e kujton vazhdimisht vdekjen. E parë sipas mendësisë së zakonshme, vdekja na duket thellësisht armiqësore e krejt në kundërshtim me natyrën tonë, e cila dëshiron jetën e lumturinë. Por – ripohon Papa – nuk duhet të harrojmë se Krishti e revolucionarizoi kuptimin e vdekjes. E këtë nuk e bëri vetëm me mësimin e tij, por duke e përballuar Ai vetë vdekjen. Biri i Hyjit u bë njeri, për të na hapur përsëri rrugën e shpresës. E Ati i Shenjtë përdor një shprehje të veçantë për të shpjeguar se: “Vdekja nuk është më ajo që ishte: i është hequr helmi”. Dashuria e Hyjit, që vepron në Jezusin, i dha një kuptim të ri gjithë jetës së njeriut, e kështu e shndërroi edhe çastin e rëndë të vdekjes.
Kush zotohet të jetojë si Krishti, çlirohet nga frika e vdekjes, që nuk i tregon më fytyrën tallëse armike, por, siç shkruan Shën Françesku në ‘Këngën e krijesave’, e shikon me fytyrën mike të ‘motrës’, për të cilën mund edhe ta bekojë Zotin me fjalët: “Lavdëruar qofsh, o Zoti im, për motrën tonë, vdekjen e trupit, nga e cila njeri i gjallë s’mund të shpëtojë”.
E Benedikti XVI na kujton themelin e fesë së krishterë, që Shën Françesku e shpreh kështu:
Mjerë ata që vdesin në mëkate mortare;
lum ata të cilët vdekja do t’i gjejë
në vullnesë tënde gjithëshenjte
përsè prej vdekjes së dytë
të keqe nuk do të kenë”.
Prandaj:
“Nuk duhet pasur frikë nga vdekja e trupit, na kujton feja: si jetuam, si vdiqëm, jemi me Zotin”.
Jeta njerëzore është kalim nga kjo botë tek Ati qiellor – vijon Benedikti XVI – duke shtuar se vdekja e vërtetë, nga e cila duhet të kemi frikë, është ajo e shpirtit e duke kujtuar se kush vdes në mëkat mortar pa u penduar, duke këmbëngulur mendjemadhësisht në mospranimin e dashurisë së Zotit, vetpërjashtohet nga mbretëria e jetës. Prandaj Ati i Shenjtë i fton besimtarët t’i luten Zojës së Bekuar që t’i ndihmojë të jenë gati për ta lënë jetën, që të banojnë, pastaj, përjetësisht me Zotin.
Ati i Shenjtë i nënvizon disa herë harresat e çuditshme të njeriut modern, i cili shpesh jeton sikur Zoti të mos ekzistonte. Ja si shprehet Papa në audiencën e përgjithshme të 2 nëntorit 2005:
“Gjithçka kalon, po Zoti mbetet e caku i jetës sonë është takimi ballë për ballë me Të. E megjithatë të duket sikur njeriu nuk dëshiron ta shikojë këtë realitet:
“Njeriu modern e pret akoma jetën e pasosur, apo beson se ajo tashmë i përket një mitologjie të vjetëruar? Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën, njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e i vetë jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, që qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë.
Enigma e vdekjes – shpjegon Papa – ndërthuret me mendimin si të jetojmë mirë, si të gjejmë lumturinë, e njëkohësisht me pritjen e gjyqit të mbram, që do të vendosë përfundimisht drejtësinë e që ka si masë dashurinë e Krishtit. E duke kujtuar këtë, pohon:
“Lum njeriu që dhuron; lum ai që nuk e jeton jetën vetëm për vetvete, por edhe për të tjerët; lum njeriu i mëshirshëm, i mirë e i drejtë; lum njeriu që jeton në dashurinë e Zotit e të afërmit. Kështu jetojmë mirë e kështu nuk duhet të kemi frikë nga vdekja, sepse jemi në lumturinë që vjen nga Zoti e nuk soset kurrë”.
Në qendër të fesë së krishterë është misteri i vdekjes e i ngjalljes së Krishtit: “Ngjallja e Krishtit – tha Papa në takimin e Veronës më 19 tetorin e kaluar - ishte si shpërthim drite, shpërthim dashurie që copton prangat e mëkatit e të vdekjes. Përuroi kështu një përmasë të re të jetës e të realitetit, nga e cila lind një botë e re, e cila depërton vazhdimisht në botën tonë, e shndërron atë dhe e bën për vete”. Me këtë siguri të krishterët e shikojnë jetën e pasosur, por pa i harruar detyrat që kanë sa janë ende në botë: këmbët i kanë në tokë – na kujton Papa – por zemrën në qiell, në banesën përfundimtare të miqve të Zotit:ù
“Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjeshtë një jetë që s’ka fund, por sidomos një cilësi e re e jetës, e shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, i cili na çliron nga e keqja e nga vdekja e na bën të bashkohemi përgjithmonë me të gjithë vëllezërit e motrat që marrin pjesë në të njëjtën dashuri të Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.