(02.11.2007 RV)Në Somali, popullsia civile ndodhet në mes të ndeshjeve me armë
ndërmjet fraksioneve lokale, ndeshje që janë ashpërsuar pas dorëheqjes së kryeministrit
Ali Mohamed Gedi. Dhjetra janë viktimat në tri ditët e fundit të luftimeve, që po
ia ndryshojnë fytyrën kryeqytetit Mogadisho. Shumë organizata jo qeveritare e përkufizojnë
gjendjen si katastrofë humanitare dhe kanë vështirësi për të ndihmuar popullsinë.
Me lejen e qeverisë së përkohshme, Programi Ushqimor Botëror rifillon shpërndarjen
e ushqimit për të shpërngulurit. Shpërndarja ishte ndërprerë më 17 tetor, pas arrestimit
të përgjegjësit të OKB-së për Somalinë. Sipas Komisariatit të Lartë të OKB-së për
Refugjatët, rreth 90 mijë vetë braktisin shtëpitë për shkak të dhunës, duke shtuar
kështu radhët e refugjatëve, që arrijnë tashmë në dhjetra mijëra.
Presidenti
i autoritetit palestinez, Abu Mazen u takua sot në Ramallah më disa drejtues të Hamasit
në Çisjordani. Është mbledhja e parë e përbashkët pas marrjes së pushtetit nga lëvizja
islamike në Rripin e Gazës. Në një deklaratë, presidenti palestinez përsëriti se nuk
është i mundur asnjë lloj dialogu politik me Hamasin, derisa lëvizja të mos ketë hequr
dorë nga Rripi i Gazës.
Në prag të mbërritjes së të dërguarit të OKB-së, Ibrahim
Gambari në vendin aziatik, Junta ushtarake birmane ka liruar 46 disidentë që bëjnë
pjesë në partinë e Çmimit Nobel, San Su Çi. Këta persona u arrestuan gjatë protestave
të shtatorit. Sipas disa burimeve, regjimi është gati të nxjerrë jashtë vendit përfaqësuesin
e Kombeve të Bashkuara në vend, Çarls Petri, i cili para disa javësh dënoncoi rritjen
e varfërisë në vend. E është bërë e vështirë edhe kontakti nëpërmjet internetit, i
kontrolluar nga qeveria.