2007-11-01 17:05:35

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot të të Gjithë Shenjtorëve: “Shenjtëria nuk është privilegj për pak të krishterë, por detyrë për të gjithë njerëzit”.


(01.11.2007 RV)RealAudioMP3 Shenjtëria nuk është privilegj vetëm për të krishterët ose vetëm për heronjtë e krishterimit, por është detyrë për të gjithë njerëzit. Këtë pohoi sot Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të solemnitetit të të Gjithë Shenjtorëve, përballë mijëra shtegtarëve, ardhur nga mbarë bota në Sheshin e Shën Pjetrit, pa marrë parasysh shiun, që vijoi gjatë gjithë Lutjes.
Papa kujtoi se në fillimet e krishterimit, anëtarët e Kishës quheshin edhe ‘shenjtorë’ dhe nënvizoi se i krishteri, si i tillë, është tashmë shenjt, sepse pagëzimi e bashkon me Jezusin e me misterin e Pashkëve të Tij, por njëkohësisht edhe duhet të bëhet shenjt, duke u njësuar gjithnjë më shumë me Krishtin.
“Nganjëherë mendohet se shenjtëria është privilegj që u përket vetëm pak të zgjedhurve. Në të vërtetë, të bëhesh shenjt është detyrë e çdo të krishteri, madje mund të themi, e çdo njeriu! Shkruan Apostulli se Zoti na bekoi me çdo bekim shpirtëror e na zgjodhi në Krishtin, që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri” (Ef.1, 3-4). Prandaj të gjithë njerëzit janë të thirrur për shenjtëri, gjë që në fund të fundit do të thotë të jetosh si Bir i Hyjit, në shembëllim me të, ashtu si u krijuam”.
Të gjitha qeniet njerëzore – vijoi Ati i Shenjtë – janë bij të Hyjit, e të gjithë duhet të bëhen ç’ janë, përmes rrugës kërkuese të lirisë. Prandaj Hyji i fton të gjithë të bëjnë pjesë në radhët e popullit të tij shenjt. Rruga është Krishti, Biri, Shenjti i Hyjit: askush nuk shkon tek Ati, posë nëpër Të”.
Më pas Benedikti XVI kujtoi se Kisha i ka vënë, me urti, njëra pas tjetrës festën e Gjithë Shenjtorëve dhe Përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur:
Atyre nesër do t’ia kushtojmë posaçërisht lutjen tonë e për ta do të kremtojmë Flijen Eukaristike. Në të vërtetë, çdo ditë Kisha na fton të lutemi për ta, duke ofruar edhe vuajtjet e mundimin e përditshëm, me qëllim që, plotësisht të pastruar, ata të mund të pranohen për të gëzuar në amshim dritën e paqen e Zotit”.Papa i ftoi të krishterët t’ia besojnë veten Virgjërës Mari, që shkëlqen mes bashkësisë së shenjtorëve.
Duke shtrënguar dorën tonë në të sajën, e ndjejmë se mund të ecim më me zell në rrugën e shenjtërisë. Asaj ia besojmë djersën tonë të përditshme e po asaj i lutemi edhe për të dashurit tanë të vdekur, me shpresën se një ditë do të jemi të gjithë së bashku, në shoqërinë e lumnueshme të shenjtorëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.