2007-10-31 17:46:00

Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Maksimit: “I krishteri e ngul vështrimin drejt realiteteve të ardhshme, duke qenë thellësisht i impenjuar në shoqëri”.


(31.10.2007 RV)RealAudioMP3 Detyrat që ka besimtari ndaj shoqërisë civile kanë vlerë për çdo kohë: këtë nënvizoi Benedikti XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, kushtuar Shën Maksimit, ipeshkëv i Torinos nga fundi i shekullit IV e fillimi i shekullit V. Duke u ndaluar tek figura e këtij bariu, që luajti një rol të dorës së parë në përhapjen e krishterimit në Italinë veriore, Ati i Shenjtë i nxiti të pranishmit të reflektojnë për lidhjet ndërmjet besimtarëve e institucioneve politike. Audienca u mbajt nën një shi me rrëshekë që, megjithatë, nuk mundi ta shuante ngrohtësinë me të cilën e ndoqën Papën 30 mijë shtegtarët, mbledhur për katekizmin në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Të jetosh një jetë të krishterë, do të thotë edhe të kryesh detyrat qytetare”. Ky - tha Papa - është një nga mësimet e Shën Maksimit, që e gjejmë në përmbledhjen e Sermoneve apo predikimeve të Shenjtit. Nga kjo vepër - nënvizoi Ati i Shenjtë - del në pah lidhja e thellë jetike e ipeshkvit me qytetin e tij, gjë që flet për një pikëtakimi të dukshme ndërmjet shërbimit ipeshkvnor të Ambrozit në Milano e Maksimit në Torino. Përballë tensioneve të rënda dhe kërcënimit të barbarëve – kujtoi Benedikti XVI – Shën Maksimi ia doli mbanesh ta mblidhte popullin e krishterë rreth personit të tij, si bari e si mësues, duke u bërë “Roje mbi shkëmbin më të lartë të qytetit”. Veprimtaria e ipeshkvit tregon qartë sa shumë u përpoq për t’iu kundërvënë zvetënimit e shthurjes civile:
“Pa rënë shumë në sy, Maksimi arrin kështu në predikimet e tij, të shpjegojë lidhjen e thellë ndërmjet detyrave të të krishterit e atyre të qytetarit”.
Papa citoi Predikimet 17 e 18 të Shën Maksimit, kushtuar temës gjithnjë aktuale të pasurisë e të varfërisë në bashkësitë e krishtera. Ipeshkvi i Torinos ankohet se pasuritë grumbullohen e fshihen, pa menduar fare për nevojat e tjetrit. E më pas dënon ashpër ata të krishterë, të cilët jo vetëm që nuk e ndajnë pasurinë me vëllezërit, por arrijnë deri atje, sa të mos ngurrojnë të plaçkisin edhe gjënë e tjetrit. Njerëzve të tillë ipeshkvi shenjt - e me të edhe Papa – u kujton se duke vepruar kështu, nuk gënjejnë njerëzit, po Zotin:
“Në këto rrethana Maksimi përpiqet jo vetëm të ngjallë në shpirtin e besimtarëve dashurinë tradicionale për atdheun, por edhe t’u kujtojë detyrën e pagesës së rregullt të taksave, sado të rënda e të pakëndshme t’u duken”.
Në krahasim me sjelljen e përmbajtur të Ambrozit – vijoi të shpjegonte Papa – e duke pasur parasysh shkatërrimin e institucioneve të Perandorisë romake, Maksimi e ndjen veten plotësisht të autorizuar të ushtrojë një pushtet të mirëfiltë mbi qytetin që i është besuar. E ky pushtet – shtoi Ati i Shenjtë – u bë më pas gjithnjë më i gjërë e më i frytshëm, aq sa të zevendësonte mungesën e gjykatësve e të institucioneve civile:
“Si përfundim mund të themi se analiza historike dhe letrare flet për vetëdijen në rritje të përgjegjësisë politike të autoritetit kishtar, në rrethana kur ky autoritet zevendësonte atë civil”.
Natyrisht që – vërejti Papa – rrethanat historike, kulturore e shoqërore të sotme janë krejtësisht të ndryshme. Të reja janë edhe sfidat para të cilave ndodhet Kisha, por kohët e reja e sfidat e reja nuk e cënojnë fare aktualitetin e qortimeve të Shën Maksimit:
Pavarësisht nga ndryshimet e kushteve, mbeten gjithnjë aktuale detyrat që ka besimtari ndaj vendit të tij. Gërshetimi i impenjimeve të qytetarit të ndershëm me ato të të krishterit të mirë mbetet gjithnjë i njëjtë”.
E këtu Benedikti XVI citoi një fragment nga Nota doktrinore e 2002-it mbi pjesëmarrjen e katolikëve në jetën politike, për të ripohuar një nga aspektet më të rëndësishme të unitetit të jetës së të krishterit: përkimin e plotë ndërmjet fesë e jetës, ndërmjet Ungjillit e Kulturës.
“Gabohen ata të cilët, duke e ditur që këtu nuk kemi nënshtetësi të përhershme, por se jemi në kërkim të asaj të ardhshme, besojnë se për këtë arsye mund t’i lënë pas dore detyrat e tyre tokësore e nuk mendojnë se pikërisht feja e tyre i ngarkon akoma më shumë me përgjegjësinë e kryerjes së detyrave, sipas vendit që zë secili në shoqëri”.
Në përfundim Papa uroi që, duke ndjekur mësimet e Shën Maksimit, besimtarët t’i shikojnë si një gjë e vetme detyrat njerëzore e ato fetare. Pas katekizmit, Ati i Shenjtë i përshëndeti besimtarët në gjuhë të ndryshme dhe e përfundoi audiencën, duke i ftuar t’i jetojnë me përshpirtërinë e duhur kremtimet e solemnitetit të të Gjithë Shenjtorëve dhe Përkujtimin e besimtarëve të vdekur:
“Uroj të jetë rast i përshtatshëm për të gjithë që t’i lartojnë sytë nga qielli e të kundrojnë realitetet e ardhshme, të mbramet e përfundimtaret që na presin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.