Jezuiti shqiptar Gjon Pantalia në 60-vjetorin e martirizimit.
(31.10.2007 RV)Martiri Gjon Pantalia,
që jetoi në kushte shumë më të vështira se Shën Alfonsi, e dëshmoi këtë thënie të
sivëllaut spanjoll me jetën e, sidomos, me vdekjen e tij heroike. Po ta thërrasësh
emrin Gjon Pantalia në internet, do të të hapen parasysh një mori titujsh e zërash,
që flasin për jetën e fratelit jezuit, i cili u torturua si moskush e vdiq mes dhimbjesh
të tmerrshme, në sa armiqtë e Zotit e të Kishës besonin se i kishin larë një herë
e mirë hesapet me këtë bir të Jezusit e se emri, vepra e martirizimi i tij do të zhyteshin
përgjithnjë në harresë. Po atje ku harron njeriu, nuk harron Zoti. Askujt nuk do t’i
kishte shkuar ndër mend aso kohe, kur nuk njihej as fjala internet, se një ditë emri
i martirit do të ridukej me shkëlqim jo vetëm në elterët e kishave katolike e në zemrat
e besimtarëve, por edhe në mjetin më modern të komunikimit. Kush dëshiron të dijë
më shumë për të, të dhënat krysore mund t’i gjejë në Wikipedi, ku pas emrit të tij,
lexohet: ‘Martiri lindi në Prizren më 2 qershor 1887 e vdiq në kuvendin françeskan
të Gjuhadolit, shndërruar në burg, më 31 tetor 1947’. E gjen, më pas, nën titullin:
“Fra Gjon Pantalia S.J., martir i Krishtit në Shqipëri, ku mund të sodisësh edhe një
fotografi tepër të rrallë të tij. Emri i Fratel Gjonit tashmë lexohet edhe në Enciklopedinë
e Shenjtorëve, nën titullin “Shërbëtori i Hyjit, Gjon Pantalia”. Më pas të reja për
jezuitin mund të lexohen në zërin ‘Martirët’, ku shkruhet edhe për sivëllezërit e
tij të martirizuar, Atë Daniel Dajanin, Atë Gjon Faustin, Atë Anton Lulin, Atë Gjon
Shllakun. Po për veprimtarinë fetare të vëllaut jezuit natyrisht mund të lexosh edhe
në zërin ‘Jezuitët’, ku emri i Gjon Pantalisë është pranë e pranë me atë të Pal Mikit,
sivëllaut jezuit që u kryqëzua në Nagasaki të Japonisë më 5 shkurt 1597. Më tutje
emrin ia gjejmë të shkruar edhe ndër libra, si ai me titull “Deshën ta mbysin Zotin”;
në veprën e Atë Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”; në shkrime të sivëllaut,
jezuitit Atë Ernesto Santuçi etj etj. Por duhet kujtuar edhe se figura e tij vijon
të jetojë sidomos në zemrën e popullit, i cili me kujtesën e tij pa mort, ia përcjell
figurën heroike të vëllaut jezuit e heroizmin e tij breznive të ardhshme. Në sa
flasim për të, kujtojmë se më 10 nëntor 2002, në katedralen e Shkodrës, u hap procesi
dioqezan për lumnimin e 40-martirëve, dëshmitarë të fesë, pothuajse të gjithë të vrarë
gjatë persekutimit komunist. Ndërmjet tyre, edhe tre jezuitë: Atë Gjon Fausti, misionar
jezuit italian; Atë Daniel Dajani dhe fratel Gjon Pantalia, jezuitë shqiptarë. E
për ata që na ndjekin e duan të dinë menjëherë diçka më shumë për Martirin Gjon Pantalia,
po kujtojmë se: Gjon Pantalia lindi në Prizren më 2 qershor 1887 në një familje
të thjeshtë. Ishte kushëri i nënë Terezës nga ana e s’ëmës. Fëmijërinë e rininë
e parë i kaloi duke punuar si çirak në pazarin e Prizrenit. Në vitin 1906, sapo i
kishte mbushur 19 vjetët, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve. Noviciatin e bëri në Itali
e pikërisht në Soresina, në provinçën e Kremonës. Ndonëse eprorët shprehën dëshirën
që t’i vijonte studimet për t’u bërë meshtar, Gjoni deshi të mbetej thjeshtë vëlla-ndihmës,
që në Shqipëri njihej me emrin lajk ose fratel. E, si ndodh shpesh që më të fundmit
bëhen pikëmbështetje për të gjithë bashkësinë në të cilën jetojnë, Fratel Gjoni u
bë frymëzues i të gjitha veprimtarive shoqërore e kulturore të Kolegjit, njeri-kyç
i Institutit të Jezuitëve të Shkodrës, që kishte emrin e Françesk Saverit e që u bë
fidanishte e meshtarëve, avoketërve, politikanëve e mësuesve të ardhshëm. Kishte
një mori detyrash: profesor, këshilltar pedagogjik, shkrimtar, drejtues shpirtëror.
Shpëtoi nga arrestimi shumë nga nxënësit e tij shqiptarë, që kërkoheshin në fillim
nga ushtritë pushtuese italiane e më pas nga ato gjermane. U përpoq, ndonëse
tepër i mbikqyrur, të shpëtonte objekte me vlerë të Kolegjit e të gjente avoketër
që pranonin të mbronin meshtarët e arrestuar gjatë persekutimit të mëpasëm komunist,
i cili që nga viti 1945 vuri në shenjestër gjithë bashkësinë katolike e sidomos jezuitët.
Po ai s’u tremb: përkundrazi. Bëri çmos që veprimtaritë shkollore të vijonin
sa më mirë që të ishte e mundur, duke acaruar kështu edhe më keq regjimin e kuq e
ateist. Ky acarim kundër tij arriti kulmin pas arrestimit të Atë Gjon Faustit dhe
të rektorit të Kolegjit, Atë Daniel Dajanit, sepse në këtë periudhë, më shumë se kurrë,
frateli mbeti përgjegjës moral i Shoqërisë së Jezuitëve në Shqipëri. Për të shmangur
reagimet, u arrestua pa bujë në tetorin e vitit 1946. U torturua mizorisht. E rrahën,
e munduan me korrent elektrik, i ngulën spica druri të ndezura ndër thonj: provuan
mbi trupin e tij gjithë koleksionin e mjeteve të torturës shpikur nga sigurimi famkeq
i shtetit diktatorial. Pastaj e mbyllën në kuvendin françeskan të Gjuhadolit, shndërruar
në burg. Qelia e tij ishte ngjitur me Kishën, por ai nuk qe më në gjendje as të gëzohej
për këtë, sepse i shkatërruar fizikisht nga torturat.Pavarësisht nga kjo gjendje,
provoi të ikte por, i ligësht siç ishte, gjatë përpjekjeve për t’u larguar, ra nga
dritarja dhe theu të dyja këmbët: e lanë të vuante pa u kujdesur fare për të. Ditët
e fundit të jetës i kaloi mes dhimbjesh çnjerëzore, deri sa i mbylli sytë si martir
më 31 tetor 1947. Që atëherë nuk kanë kaluar qindra vjet e Fratel Gjoni nuk u martirizua
në amfiteatrot e lashtësisë. Kanë kaluar vetëm 59 vjet e ndoshta-ndoshta janë endè
gjallë ata që ngritën amfitetarot moderne, duke u bërë shkaktarë për ta radhitur në
radhët e lumnueshme të martirëve - Jezuitin shqiptar, Vëlla Gjon Pantalinë.