2007-10-31 17:47:16

Jezuiti shqiptar Gjon Pantalia në 60-vjetorin e martirizimit.


(31.10.2007 RV)Sot kalendari kishtar gërshetohet me kalendarin historik kombëtar, duke na kujtuar dy figura të shquara të Kishës katolike, një shenjtor lindur në Spanjë, Shën Alfonsin Rodriguez e një martir lindur në Prizren të Kosovës, Shërbëtorin e Zotit, Vëllaun Gjon Pantalia, emri i të cilit është radhitur ndërmjet atyre që flijuan jetën për dashuri të Krishtit. Shenjti spanjoll e Martiri shqiptar kanë shumë gjëra të përbashkëta: ishin të dy jezuitë, të dy fratela, të dy të ngarkuar t’i shërbenin bashkësisë rregulltare për të gjitha nevojat materiale, të dy njerëz kulture.
Shën Alfonsi Rodriguez lindi më 25 korrik 1533 në Segovia të Spanjës në një familje që merrej me tregtimin e leshit dhe me endjen e stofave. Studioi me sukses në kolegjin e jezuitëve të Alkalasë dhe, në moshën 23 vjeç, pas vdekjes së së t'et, u detyrua të kthehej në shtëpi, për të drejtuar ndërmarrjen e vogël familjare. Dukej sikur gjithçka ishte kundër tij: puna nuk i interesonte fare, brënda pak vjetësh i vdiq bashkëshortja me të cilën ishte martuar në vitin 1560 e, menjëherë pas saj, humbi të dy fëmijët dhe gjithë pasurinë e trashëguar. U bë i ngjashëm me Jobin e Shkrimit Shenjt.
I shtypur nën peshën e padurueshme të jetës, më 1569 Alfonsi u transferua në Valencia, ky hyri ndër jezuitë. Më 1571 u dërgua në Kolegjin e Malit të Sionit të Palma di Majorkës, vend në të cilin jetoi shenjtërisht deri më 31 tetor 1617, ditë kur u nis për të filluar një jetë më të mirë. I lumnuar më 1825, Alfonsi do të shpallej shenjt më 1888.La trashigim shkrimet, në të cilat shpreh besimin e tij të thellë e pa kushte. Shkruan Shenjti: “Ah, o Zot, po të dija e po të mundja, do të të shërbeja si të shërbejnë të gjitha krijesat e qiellit e të tokës të marra së bashku” dhe “Dashuria më e madhe është t’i bindesh Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.