2007-10-31 17:47:04

Imzot Rilko, pas takimit përgatitor në Australi: “Të gjitha kishat t’ia kushtojnë punën baritore me të rinjtë, Ditës së tyre Botërore”.


(31.10.2007 RV)RealAudioMP3 Kryeipeshkvi Stanislao Rilko, një nga 23 kardinajtë e ardhshëm, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët, sapo është kthyer nga takimi për DBR 2008, mbajtur në Sidnei të Australisë, në sa përgatitet të marrë, më 24 nëntor, unazën kardinalore. Për këto ngjarje të mëdha flet sot në mikrofonin e Radios sonë:

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për misionin tuaj në Sidnei?

Përgjigje: - Përgatitjet për shërbimet e ndryshme të DBR-së tashmë kanë përparuar shumë, e kjo, në sajë të punës së shkëlqyer që po bën Komiteti organizativ australian, me drejtuesit e të cilit, gjatë takimit të tetorit, vizituam edhe vendet ku do të mbahen kremtimet e kryesuara nga Ati i Shenjtë. Natyrisht gjëja e parë për të cilën kemi menduar, është përgatitja baritore e ngjarjes së madhe. Kisha në Australi shikon në këtë takim një rast që nuk duhet humbur, por duhet shfrytëzuar për t’i dhënë hov të ri rilindjes shpirtërore jo vetëm të breznive të reja, por edhe të të gjithë katolikëve australianë, në jetën e të cilëve ndjehet fuqimisht ndikimi i shekullarizimit, që vijon të përhapet. Pritet, prandaj, si Rrëshajët e reja për mbarë Kishën që jeton në Australi. Por është mirë të kujtojmë se mbarë Kisha universale po merret me përgatitjen baritore të DBR-së 2008, sipas vijave orientuese të përcaktuara nga Benedikti XVI në mesazhin drejtuar të rinjve, në të cilin shpjegon edhe temën e Ditës: “Do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëhemi dëshmitarët e mi”. (Vap. 1,8)

 
Pyetje: - E si po përgatiten të rinjtë?

Përgjigje: - Ne kemi këmbëngulur gjithnjë, e vijojmë të ngulim këmbë mbi faktin se përgatitja shpirtërore e DBR-së, duhet të jetë pjesë përbërëse e punës së përditshme baritore me rininë në të gjitha Kishat e veçanta. E kjo duhet bërë pavarësisht nga pjesëmarrja e mundshme e të rinjve në takimin botëror me Papën. Shenjat tregojnë se po ecet në këtë drejtim. E jo vetëm: vetë mesazhi drejtuar të rinjve si dhe tema e zgjedhur nga Papa për DBR-së, japin orientime të çmuara për hartimin e programeve vjetore në nivel lokal, e kjo na kënaq pa masë. Natyrisht kush dëshiron të shkojë në Sidnei, duhet të bëjë edhe një hap tjetër: të shkruajë sa më shpejt emrin e, natyrisht, të gjejë edhe paratë për të paguar udhëtimin. Për shumkënd nuk është gjë e lehtë, por kur vjen puna për të marrë pjesë në ngjarje të tilla të mëdha, të rinjtë japin prova se nuk u mungon jo vetëm fantazia, por edhe shpirti i flijimit. Nga ana e tij, Këshilli Papnor për Laikët ka caktuar një fond solidariteti, për fat të keq të paktë, përmes të cilit do të përpiqet t’i ndihmojë Konferencat ipeshkvnore të vendeve më të varfëra, që të mund të dërgojnë së paku ndonjë delegacion të vogël.

Pyetje: - Sidnei është larg… sa të rinj parashikohet të marrin pjesë?

Përgjigje: - Çdo Ditë Botërore e Rinisë, aventurë e madhe shpirtërore për të rinjtë që marrin pjesë në të, është sfidë e vërtetë për organizatorët. Kjo e Sidneit është sfidë nga më të mëdhatë, për shkak të distancës: Australia është larg nga çdo pikënisje e globit. E kjo kërkon shpenzime jo të vogla udhëtimi. Veç kësaj, numri i vendeve të vëna në dispozicion nga shoqëritë ajrore, nuk është i kënaqshëm. Prandaj mund të them se është e vështirë të bësh parashikime sasiore. Megjithatë, nuk duhet harruar se, siç na mëson Benedikti XVI, për jetën e Kishës nuk janë përcaktuese statistikat, as numrat. Gjithsesi jam i bindur se edhe këtë radhë do të kemi të papritura pozitive.

Pyetje: - Ç’të reja priten nga kjo DBR australiane?

Përgjigje: - Asgjë strukturore nuk e dallon këtë DBR-së nga takimet e mëparshme të Papës me të rinjtë në botë. Çka i dallon këto takime, si zakonisht, janë vendi e Kisha që i mikpret. Australia është vend që të mahnit me bukuritë natyrore. Kisha australiane është minoritare (në gjirin e një popullsie prej 20 milion banorësh, vetëm 25 % janë katolikë), por ajo ka ditur të ruajë identitein e vet në një mjedis shumetnik, shumkulturor e shumfetar. Për të rinjtë do të jetë një leksion i rëndësishëm, që do t’i mësojë si ta dëshmojnë Krishtin në shoqërinë e shekullarizuar post-moderne.

Pyetje: - Si e pritët lajmin e emërimit kardinal?

 Përgjigje: - Lajmin e këtij emërimi e mora pikërisht në Sidnei: një situatë jo e zakonshme, por që më ndihmoi ta kuptoj edhe më mirë domethënien kishtare. Urimet që më bëheshin dhe shprehjet plot gëzim të pjesëmarrësve në takimin që zhvillohej, ma bënë edhe më të qaertë se në këtë thirrje të re për t’i shërbyer bujarisht Krishtit e Kishës së tij, duhet të shikoja një dhuratë të Atit të Shenjtë, një vlerësim të misionit që më ka besuar si Kryetar i Këshillit Papnor për Laikët, në të cilin të rinjtë kanë një vend të dorës së parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.