2007-10-30 18:17:43

Kërkimi i së vërtetës, për t’iu kundërvënë rrezikut të protagonizmit, në qendër të Mesazhit të Papës për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore.


(30.10.2007 RVRealAudioMP3 “Mjetet e komunikimit shoqëror: në udhëkryq ndërmjet protagonizmit e shërbimit. Të kërkohet e vërteta, për ta mbështetur”- është tema e zgjedhur nga Papa Benedikti XVI për Ditën e 24-t Botërore të Komunikimeve Shoqërore 2008.
Është një ftesë për të reflektuar mbi rolin e mediave, duke pasur parasysh rrezikun që ata t’i shërbejnë vetvetes e të mos jenë më mjete që i shërbejnë vetëm së vërtetës, e cila duhet kërkuar e mbështetur – pohon kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli, Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, dikaster i Selisë së Shenjtë që përgatit dokumentet e nevojshme për studim dhe materialin liturgjik lidhur me temën. Ky material, pastaj, u shpërndahet Konferencave Ipeshkvnore dhe organizatave katolike ndërkombëtare të komunikimeve shoqërore.
Dita Botërore e Komunikimeve Shoqërore, e vetmja ditë botërore e themeluar nga Koncili II i Vatikanit (‘Inter Mirifica, 1963), në shumë vende, me porosi të ipeshkvijve, kremtohet të dielën që i paraprin Rrëshajve. Dita e ardhshme do të kremtohet më 4 maj 2008.Sipas traditës, Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore publikohet më 24 janar, me rastin e festës së Shën Françeskut të Sales, pajtor i gazetarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.